Në Instagramin e drejtpërdrejtë me Del Piero, legjenda braziliane e futbollit, Ronaldo, kujtoi përplasjen e famshme të vitit 1998 me Iuliano, gjatë një ndeshjeje mes Juventusit dhe Interit. “Unë mund ta kuptoj që gabimet ndodhin, njerëz ishin gjyqtarët dhe ne që luanim në fushë. Ju nuk keni pasur asnjë lidhje me këto gjëra. Ne kemi luajtur ndeshje të bukura në atë kohë dhe Juve nuk kishin nevojë për gjëra të caktuara për të fituar. Mbaj mend që në atë kohë kishte një klimë shumë të tensionuar, ishte si një Luftë e Ftohtë mes dy klubeve”.
Alessandro Del Piero gjithashtu kujtoi atë ndeshje të famshme: “Unë e bëra pjesën time, humba një penallti dhe kështu gjërat mbetën në ekuilibër. Ne nuk kishim nevojë për ndihmë, por mund të ndodhin disa episode, që njollosin një sezon të tërë. Kishte tension, vinte nga të gjitha anët, kjo është e sigurt. Të gjitha skuadrat ishin gjithmonë nën tension. Sapo kishte një ndërhyrje të parregullt, skuadrat shpërthenin. Ishin njolla të errëta”.