Numri i shqiptarëve azilantë që trokasin nëpër dyert e Europës është rritur gjatë Korrikut, tregojnë të dhënat më të fundit të zyrës së azilantëve të Bashkimit Europian. Këto të dhëna flasin për 1995 kërkesa për azil në total nga shtetas shqiptarë gjatë korrikut, nga 1787 që ishin muajin paraardhës. Kjo do të thotë se rritja fiksohet në 11.6% në terma mujorë.
Muaji Korrik është i vetmi muaj, pas Shkurtit, ku regjistrohet rritje. Gjithsesi, të dhënat tregojnë se në harkun e 12 muajve të fundit, krahasuar me 12 muajt paraardhës, tendenca për të aplikuar për azil mes shqiptarëve është rritur ndjeshëm. Shqipëria është kështu në vendin e 10-të të listës së vendeve të origjinës së azilantëve, paçka se klasifikohet si një vend i sigurtë origjine. Kështu, gjatë korrikut, përgjigjet negative për statusin e azilanitit fiksohen në 1471, ndërsa vetëm 53 persona kanë arritur të marrin statusin e refugjatit.
Paçka se, norma e pranimit është tejet e vogël, diçka e tillë nuk i ndalon afro 2000 shqiptarët çdo muaj, të cilët e provojnë fatin. Në total janë 11973 shqiptarët të cilët presin dyerve të Europës nëpër kampet e posaçme për një përgjigje ndaj kërkesës së tyre për azil. Çështja e azilkërkuesve është kthyer në një problem madhor për Shqipërinë, pasi rezulton si një pengesë për integrimin europian të vendit, me Francën dhe Holandën që kanë paralajmëruar për veto.