Vrasja me thikë e 41-vjeçarit nga Tepelena Klodian Bakia në Sarandë para dy ditësh ka nxjerrë në dritë fakte të reja. Policia e qytetit bregdetar arrestoi 3 persona lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi në një hotel, në rrugën “Lefter Kalo”, në lagjen nr. 1; dy vëllezërit Xhanelo Taraj, 24 vjeç dhe Xhoi Taraj, 18 vjeç si dhe pronarin e hotelit ku ndodhi ngjarja tronditëse, Genci Ahmeti 41 vjeç. Sipas policisë, vëllezërit Taraj bashkëpunuan me njëri-tjetrin për të vrarë Bakian, ndërsa Ahmeti akuzohet se ndihmoi autorët e krimit të fshiheshin pasi kryen vrasjen.
Nga të dhënat, rezulton se Xhanelo dhe Xhoi Taraj janë nipërit e gruas së Genci Ahmetit dhe punonin në hotelin e tij. Të dy vëllezërit u gjetën në një garazh të dy pallateve pas disa orësh kërkimi nga forcat e rendit të Sarandës.
Konflikti nisi për parkimin para hotelit. Klodian Bakia po parkonte automjetin e tij para hotelit të Genci Ahmetit.
Dy vëllezërit Taraj, të punësuar në këtë hotel, i kërkuan të mos parkonte në atë vend pasi ishte pronë private. Por, Bakia nuk ka pranuar dhe mes tyre pati ofendime. Konflikti degradoi deri në aktin ekstrem të vrasjes së 41-vjeçarit. Para dy ditësh, Xhanelo Taraj u përmend se mori thikën nga hoteli dhe goditi disa herë në kraharor Klodian Bakian pasi ky i fundit dhunoi vëllain e tij, Xhoin.
Duke parë skenën, 24-vjeçari mori armën e ftohtë dhe vrau për vdekjen Bakian. Megjithatë, detajet e sakta se si ndodhi ngjarja dhe kush e vrau 41-vjeçarin nga Tepelena pritet të zbardhen në ditët e ardhshme. Policia raporton se Genci Ahmeti i ndihmoi të dy vëllezërit të fshiheshin pas krimit.
Në këtë situatë, Xhanelo dhe Xhoi Taraj do të gjykohen për kryerjen e veprave penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Ndaj pronarit të hotelit Genci Ahmeti janë ngritur akuzat për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Policia pretendon se ai ka fshehur armën me të cilën dy nipërit e gruas së tij vranë Klodian Bakian.
Njoftimi i Policisë së Sarandës.
Goditën me thikë 41-vjeçarin, i cili ndërroi jetë në spital, si pasojë e dëmtimeve të marra, Policia vë në pranga 2 autorët e dyshuar. Në pranga dhe punëdhënësi i 2 autorëve të dyshuar, pasi tentoi të fshihte ngjarjen. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, me marrjen e njoftimit për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr.1, Sarandë, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i reagimit në kohë dhe i veprimeve të shpejta hetimore në vendngjarje, u bë e mundur identifikimi i autorëve të dyshuar. Falë ndjekjes së pandërprerë të autorëve të dyshuar, pas disa orësh kërkimesh, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan 2 autorët e dyshuar, shtetasit Xh. T., 24 vjeç dhe Xh. T., 18 vjeç (vëllezër), të dy banues Laç dhe të punësuar përkohësisht në Sarandë, për veprat penale ‘Plagosja e rëndë me dashje’, me pasojë vdekjen, kryer në bashkëpunim dhe ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’.
Këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se mbrëmjen e djeshme, në rrugën ‘Lefter Kalo’, në lagjen nr.1, Sarandë, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, për një vend parkimi në afërsi të hotelit, ku ishin të punësuar vëllezërit, kanë goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin K. B., 41 vjeç, banues në Tepelenë, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ndërroi jetë në spitalin e Sarandës.
Gjithashtu, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. A., 41 vjeç, administrator i hotelit ku ishin të punësuar 2 autorët e dyshuar, për veprat penale ‘Moskallëzimi i krimit’ dhe ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, pasi nuk ka pranuar të tregojë rrethanat e kësaj ngjarjeje për krimin e kryer nga punëtorët e tij, si dhe ka kryer veprime për fshehjen e provave në lidhje me këtë ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Sarandë, për veprime të mëtejshme”, raportoi dje Policia e Sarandës.
