Policia greke në bashkëpunim me DEA Amerikane, kanë goditur një grup kriminal të përbërë nga një familje shqiptare dhe kanë sekuestruar 585 kg 208 gram kokainë, të ndarë në 500 pako.
Mediat greke raportojnë se policia ka tentuar të ndalojë dy automjete në zonën e Agia Triada dhe Neo Epivaton. Një nga automjetet ka ndaluar ndërsa tjetri ka tentuar të largohet duke u përplasur me një makinë policie dhe më pas me gardhin e një ndërtese, pa pasur dëme në njerëz.
Të dyja mjetet rezultojnë të marra me qira. Brenda dy mjeteve dhe në një banesë, u sekuestruan 500 pako me 585 kg 208 gram kokainë, 7440 euro, 7 celularë, detektor metalik dhe objekte të tjera. Është arrestuar kreu i grupit, shqiptar 50 vjeç, i cili trafikonte kokainë nga Amerika Latine për shpërndarje në Greqi dhe Europë. Është arrestuar bashkëshortja e tij, 42 vjeç dhe dy nipat e tij 33 dhe 21 vjeç si dhe një grek 35 vjeç.