Fjala e Prof. Dr Roland Zisi, Rektor i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, në ceremoninë e nderimit me titullin “Doctor Honoris Causa”, të Ambasadorit të Austrisë në vendin tonë, z. Johann Sattler,
Përshendetje të nderuar Senatorë!
I nderuar Shkëlqesia Juaj Ambasador i Austrisë në Republikën e Shqipërisë, z. Johann Sattler,
I nderuar Kryetari Bashkisë, Vlorë, z. Dritan Leli,
I nderuar Konsulli i Nderit i Austrisë në rajonin e Vlorës, Fierit, Gjirokastrës dhe Sarandës, z. Arben Malaj.
Ju falenderoj për prezencën Tuaj në këtë ceremoni universitare, në të cilën UV dhe në mënyrë të vecantë Senati Akademik, nderojnë Shkëlqesinë e tij, Ambasadorin e Austrisë në Shqipëri, z Johann Sattler, me titullin “Doctor Honoris Causa”, me motivacionin: “Për kontribut të spikatur në fushë të europianizimit të zhvillimeve dhe proceseve edukative, pedagogjike e shkencore, për promovim dhe ndërkombëtarizim të vlerave demokratike, arsimore e kulturore të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë si dhe për ndihmesa të vazhdueshme në krijimin e urave të bashkëpunimit me universitetetet europiane, në funksion të përftimit dhe shkëmbimit të vlerave më të mira humane, arsimore e shkencore.”
Shkëlqesia Juaj z. Ambasador!
Në emër të Senatit Akademik, të departamentit të Drejtësisë, (propozues i titullit), studentëve, personelit akademik të Universitetit te Vlores, që mban emrin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali, dhe në emrin tim personal, Ju falenderoj që pranuat ftesën për të qenë të pranishëm në këtë ceremoni universitare, aktivitet i cili çel siparin e kremtimeve të themelimit të UV, 25 vite më parë, në tetor 1994.
Shpresojmë dhe besojmë se kjo ceremoni do të jetë, një ogur i mirë, jo vetëm për madhështinë dhe cilësinë e festimeve por edhe për perspektivën europiane të institucionit tonë i cili konfirmon edhe një herë traditën dhe filozofinë e tij të vlerësimit, nderimit dhe respektimit të figurave të shquara, brenda dhe jashtë vendit, të intelektualëve europianë dhe botërorë, autoriteteve të spikatura të arsimit, shkencës, kulturës, politikës, biznesit etj.
Duke nderuar Juve z. Sattler, me diplomën e nderit “Doctor Honoris Causa”, UV nderon dhe respekton europianin i cili e do Shqipërinë, politikanin dhe diplomatin e palodhur në funksion të realizimit të endërrës europiane të shqiptarëve, “kundërshtarin” elegant të euroskepticizmit, universitarin dhe profesorin që ka mbështetur objektivat e UV-së në fushën e ndërkombëtarizimit duke u bërë kontributor në realizimin e disa partneriteteve me disa institucione arsimore austriake dhe europiane.
Nderkaq dëshiroj t’Ju bëj me dije se kjo ceremeoni është e dyta e këtij lloji në të cilat nderohen personalitete austriake. Vitin e kaluar është nderuar ishkancelari z. Alfred Gusenbauer, nderohet z. Sattler sot dhe në një nga ditët në vijim, do të organizohet ceremonia e nderimit të një tjetër austriaku të spikatur, e shkrimtarit dhe intelektualit të mirënjohur Robert Menasse, i cili është një tjetër mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Edhe Dr. Satler, si gjithë bashkëkombasit paraardhës të tij, është një personalitet me karrierë të pasur jetësore, politike, diplomatike dhe akademike. Ai ka studiuar Shkenca Politike dhe Lingustikë Sllave në Universitetet e Insbrukut, Pragës dhe Moskës. Nga viti 1994 deri në vitin 1996 ka kryer studimet në Akademinë Diplomatike të Vjenës. Në vitin 1996 ai është bërë pjesë e Shërbimit Diplomatik të Republikës së Austrisë dhe në vitin 2008 ka fituar gradën shkencore “Doctor”, në Universitetin e Vjenës.
Duke marrë parasysh origjinën, identitetin, karrierën dhe kontributet e z. Sattler për UV-në dhe vendin tonë, kjo ceremoni, në mënyrë të natyrshme, verifikon dhe evokon edhe një herë relacionet e shkëlqyera historike shqiptaro – austriake në shekuj, në kontekstin e të cilave, veprimtaria e z. Ambasador, është një dëshmi origjinale e kohëve moderne dhe vijim logjik i këtyre relacioneve. Në shumë prononcime dhe intervista z. Sattler ka deklaruar se është krenar që vazhdon traditën e paraardhësve Tuaj; priftërinjve, politikanëve, diplomatëve, ushtarakëve dhe sidomos të albanologëve që kanë kontribuar aq shumë për çështjen shqiptare. Më lejoni të përmend me këtë rast dy prej tyre: I pari, themeluesi i albanologjisë moderne – Johann Georg von Hahn, i cili 160 vjet më parë, u kushtoi shqiptarëve, një nga punët e tij më cilësore, librin “Studime shqiptare”. I dyti, Maksimilian Lambertz-i i cili ishte një tjeter albanolog austriak shumë i njohur, që në vitet 1916-1918 ishte studiuesi i vetëm i huaj anëtar i “Komisisë Letrare Shqipe”- forum që dha një ndihmesë të madhe në unifikimin e gjuhës shqipe.
Njëlloj si bashkëkombasit e tij të mëdhenj që sapopërmendur me veprimtarine e tij në Shqiperi z. Sattler është tashmë padyshim një mik i shquar dhe dashamirës i shqiptarëve, mbi të gjitha një diplomat.