Zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi sot se qeveria ka ndihmuar fermerët me uljen 20 % të TVSH dhe naftën falas, duke iu mundësuar atyre më shumë të ardhura.
Braçe solli shembullin e fermerëve në Çermën e Sipërme ku shalqiri i fushës është super dhe gati nga puna e ndershme e bujqëve dhe asistenca nga qendra e Gëzimit po në Çermë të Sipërme.
“Ndërkohë, kam dëgjuar, lexuar ulërima histerike të një udhëheqëseje të re në hapësirën e Myzeqesë. Iku shalqiri, s’po fitojnë lekë, është katastrofë, asnjë ndihmë e subvencione etj etj. Sot në mëngjes, në Çermë të Sipërme i kërkova një djali super-bujk, të më bënte llogarinë e shpenzime të tij; Janë 8 zëra shpenzimesh për 12 dynymë tokë e për kulturën e shalqirit.
Në 4 prej tyre, kjo Qeveri, askush tjetër më parë por kjo Qeveri, ka ndikuar me uljen e 20 % të TVSH. Ne 1 prej tyre, pra u bënë 5-së, kjo Qeveri ndërhyri për herë të parë ketë vit, duke dhënë naftën falas për 12 dynymë tokë të punuar”, theksoi ai.
Po ashtu, Braçe shtoi se “pra të gjithë shpenzimit prej 4.9 milionë lekë të vjetra në disa zëra duhet t’i shtoni ne llogari 20 %-shin që shteti hoqi. Nuk dua ta vijoj llogarinë me të ardhurat. Nuk dua t’i bëj kurrë një punëtori, veçanërisht një punëtori bujqësisë llogarinë e parave të tij. Jam thjesht i lumtur që ai do fitojë para dhe do tatohet me zero lekë”.
“Është brenda fashës deri në 140 milionë lekë të ardhura. Pra punon, punon i lehtësuar, prodhon, fiton dhe paguan zero lekë tatim. Ndërkohë po, në Çermë të Sipërme e kemi mundësinë të ulim drastikisht shpenzimet edhe në një zë tjetër, ujitjen. Sot e bëjnë me puse e pompa ndaj ka shpenzime. Duhet të sjellim ujë e me tarifa minimale ne”, tha ai.


