Categories Lajme

SHBA dërgon avionë luftarakë F-16 në Gjirin Persik për të mbrojtur anijet nga Irani

Shtetet e Bashkuara po përforcojnë praninë e avionëve luftarakë rreth ngushticës strategjike të Hormuzit, për të mbrojtur anijet nga Irani. Njoftimi u bë të premten nga një zyrtar i lartë i mbrojtjes. Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë gjithnjë e më të shqetësuara mbi lidhjet në rritje mes Iranit, Rusisë dhe Sirisë, në të gjithë Lindjen e Mesme.

Duke folur me gazetarët në Pentagon, zyrtari tha se Uashingtoni do të dërgojë avionë luftarakë F-16 në Gjirin Persik këtë fundjavë, duke përforcuar praninë e avionëve luftarakë krahas atyre sulmues A-10, që kanë patrulluar në rajon për më shumë se një javë. Vendimi vjen ndërsa Irani u përpoq të kapte dy cisterna nafte, pranë ngushticës javën e kaluar, duke hapur zjarr ndaj njërës prej tyre.

Zyrtari i mbrojtjes, i cili foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të jepte detaje mbi operacionet ushtarake në rajon, tha se avionët F-16, do t’u sigurojnë mbrojtje ajrore anijeve, e do të rrisin dukshmërinë e ushtrisë në zonë, për të parandaluar veprimet e Iranin.

Marina amerikane tha se në të dyja rastet, anijet detare iraniane u tërhoqën kur destrojeri amerikan i raketave ‘USS McFaul’, mbërriti në vendngjarje.

Zyrtari i mbrojtjes u tha gjithashtu gazetarëve se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë një sërë opsionesh ushtarake për të trajtuar agresionin rus në rritje në hapësirën ajrore mbi Siri, çka ndërlikoi përpjekjet për të goditur një udhëheqës të grupit të Shtetit Islamik fundjavën e kaluar.

Zyrtari nuk pranoi të jepte detaje, por tha se Uashingtoni nuk do të tërhiqet, e do të vazhdojë të fluturojë në pjesën perëndimore të vendit, në misione kundër Shtetit Islamik.

Aktiviteti ushtarak rus, i cili është rritur për nga frekuenca dhe agresioni që prej muajit mars, rrjedh nga rritja e bashkëpunimit dhe koordinimit mes Moskës, Teheranit dhe qeverisë siriane, në përpjekje për të ushtruar trysni ndaj SHBA-ve për t’u larguar nga Siria, tha zyrtari amerikan.

Në muajin mars, një avion luftarak rus derdhi karburant mbi një dron vëzhgues amerikan, dhe më pas goditi helikën e tij, duke detyruar ushtrinë amerikane ta hidhte dronin ‘MQ-9 Reaper’ në Detin e Zi. Incidenti rriti tensionet mes dy vendeve dhe u bë shkak për një telefonatë mes shefave të mbrojtjes të dy vendeve, por nuk çoi në asnjë përgjigje të drejtpërdrejtë ushtarake.

Javën e kaluar, admiral Oleg Gurinov, kreu i Qendrës ruse të Pajtimit për Sirinë, tha se ushtritë ruse dhe siriane kanë kryer stërvitje të përbashkëta. Në komentet e transmetuara nga media shtetërore siriane, ai tha se Moska është e shqetësuar për fluturimet me dron nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara mbi pjesën veriore të Sirisë, duke i quajtur ato “shkelje sistematike të protokolleve” të projektuara sipas tij për të shmangur përplasjet mes dy ushtrive.

Incidenti më i fundit ndodhi të premten në mëngjes, kur një avion rus fluturoi në mënyrë të vazhdueshme mbi garnizonin at-Tanf në Sirinë lindore, ku forcat amerikane po stërvitin aleatët sirianë dhe po monitorojnë aktivitetin militant të Shtetit Islamik. Zyrtari tha se avioni rus ‘An-30’ po mblidhte informacion zbulimi nga baza.

Shtetet e Bashkuara nuk kishin avionë luftarakë në zonë dhe nuk ndërmorën asnjë veprim të drejtpërdrejtë kundër avionit rus./VOA

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Zhdukja e Eglant Koçit, reagon drejtori i Policisë së Tiranës: Një strukturë e posaçme po punon për gjetjen e trupit

Drejtori i Policisë së Tiranës ka reaguar në lidhje me rastin e zhdukjes së Eglant…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vrasja në Paskuqan, autori ende në arrati/ RENEA dhe policia kontrollojnë mbi 20 banesa

Autori i dyshuar i vrasjes së 28-vjeçarit Ardian Baloshi në Paskuqan, Sadik Llanaj, vijon të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Diploma nuk mjafton më? Inteligjenca Artificiale po ndryshon rregullat e tregut të punës

Tregu i punës po përjeton një transformim të shpejtë nën ndikimin e Inteligjencës Artificiale (IA),…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

29-vjeçari nga Maliqi denoncon dhunën nga policia greke, paraqitet me dëmtime në spitalin e Korçës

Një 29-vjeçar nga Maliqi është paraqitur mbrëmjen e djeshme në urgjencën e spitalit të Korçës…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Plagosje me thikë në Vlorë, një person dërgohet me urgjencë në spital

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Vlorë, ku një person ka mbetur i plagosur…

LEXO ME SHUME