Një 29-vjeçar ka rënë në prangat e policisë i dyashur se pastronte para të ardhura nga aktivitete kriminale duke i dhënë hua me përqindje.
Pas një hetimi të nisur nga autoritetet që prej muajit tetor 2024, policia ka zbërthyer skemën e pastrimit të parave që gjeneronte 29-vjeçari Armando Musteqja në bashkëpunim me babain e tij në biznesin e tyre “Exchange” në zonën e Fushë-Krujës.
Gjithashtu në këtë biznes, 29-vjeçari tregtone florinj të kontrabanduar pasi nuk ishin të pajisur me fatura blerje.
Nga kontrolli, në ambientin e bizneseve u gjetën 100 000 euro cash që jepeshin hua kundrejt përfitimit (me përqindje).
Njoftimi i policisë:
“DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Miniera”.
Operacioni, rezultat i një hetimi 5-mujor, me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Pastronte para me burime të dyshimta, duke i dhënë hua me përqindje, në biznesin e tij (exchange dhe argjendari), në Fushë Krujë, arrestohet 29-vjeçari.
Në subjekt u gjetën dhe bizhuteri floriri, të dyshuara të kontrabanduara, me peshë 1400.41 gramë dhe me vlerë 187 000 euro.
Sekuestrohen 100 000 euro (para cash) dhe bizhuteritë.
Procedohet penalisht, mbi dyshime për bashkëpunim në këto veprimtari, babai i 29-vjeçarit.
Si rezultat i një hetimi intensiv, të iniciuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i DVP Tiranë dhe të ndjekur që prej muajit tetor 2024, me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, u finalizua operacioni “Miniera”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 29 vjeç dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për babanë e tij, shtetasin A. M., 60 vjeç, të dy banues në Fushë Krujë
Nga hetimet dyshohet se 29-vjeçari, në bashkëpunim me 60-vjeçarin, nëpërmjet biznesit të tyre exchange dhe argjendari, në Fushë Krujë, pastronte para me burime të dyshuara kriminale. Nga kontrolli, në ambientin e bizneseve u gjetën 100 000 euro cash që jepeshin hua kundrejt përfitimit (me përqindje). Gjithashtu, në këtë biznes shiteshin bizhuteri floriri, të dyshuara të kontrabanduara, pasi nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje.
Vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e tjerë që mund të jenë implikuar në këto veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”, thuhet në njoftimin e policisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.