Papunësia në tremujorin e dytë të këtij viti ka zbritur në nivelin e 11,5 %. Krahasuar me një vit më parë niveli i papunësisë ka rënë me 0,9% dhe ka zbritur me 0,6% në raport me tremujorin e parë të këtij viti.
Në lidhje me këtë shifër pozitive për vendin tonë ka reaguar edhe Kryeministri Rama duke thënë se kjo është një diçka tepër inkurajuese. Sipas Ramës niveli i papunësisë që ka zbritur ndjeshëm është konfirmuar edhe nga partnerët ndërkombëtar.
“MIRËMËNGJES dhe me shifrën pozitive e tejet inkurajuese, të nxjerrë nga raporti i djeshëm i Institutit të Statistikave, konfirmuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, ju uroj një ditë të mbarë” shkruan Rama.
Për periudhën prill-qershor numri i të punësuarve është rritur me 3.4%. Sipas raportit të INSTAT, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 69,8 %, duke shënuar përsëri një rritje krahasuar me një vit më parë. Pjesëmarrja në punë është nga meshkujt, me 77,8% dhe gratë kanë një pjesëmarrje prej 61,9 %.
Në lidhje me këto të dhëna ka reaguar edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, duke thënë se rritja e punësimit është një lajm i mirë për ekonominë dhe konfirmon efektivitetin e politikave nxitëse për punësimin.
“Lajm i mire për ekonominë! Anketa tremujore e forcave të punës, publikuar sot nga INSTAT, konfirmon efektivitetin e politikave nxitëse për punësimin.” shkruan Denaj.
Ndërkohë për sa i përket pagave INSTAT njofton se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të dytë 2019, është 52.645 lekë, duke u rritur me 4,5 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.