Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër, ku një 33-vjeçar është ekzekutuar në zonën e Dragoçit. I riu Ramazan Mataj ka qenë duke lëvizur me një makinë tip ‘Benz’, kur është qëlluar me armë zjarri, bëjnë me dije burime për nga policia.
Mataj dyshohet se është vrarë gjatë mbrëmjes të së shtunës, 4 janar 2025, kur po kthehej në shtëpi. Burime bëjnë me dije se Mataj është gjetur i pajetë nga banorët e zonës mëngjesin e sotëm, të cilët më pas kanë njoftuar policinë. Kjo e fundit, në një reagim zyrtar, konfirmon se ndaj të riut është qëlluar me armë.
I riu nuk është konstatuar deri në mëngjes pasi shtëpitë më të afërta janë në distancë. Disa banorë të një shtëpie afër kanë deklaruar që kanë dëgjuar zhurmë si të shtëna, por kanë menduar se janë fishekzjarrë dhe nuk i kanë kushtuar rëndësi.
Viktima Mataj ka shumë plumba në pjesën e sipërme të trupit dhe është qëlluar me kallashnikov. Policia e Shkodrës nuk e njeh si njeri problematik brenda vendit, as atë dhe as familjarët.
Report Tv ka arritur të sigurojë edhe pamje nga vendi i ngjarjes, ku në zonën ku ndodhi ekzekutimi në Dragoç, ende dallohet makina me të cilën po lëvizte i riu. Nga autorët deri tani nuk ka asnjë gjurmë. Në zonë nuk ka kamera sigurie për të parë nga janë larguar dhe pritet të kontrollohen kamera në distancë, por mbetet e vështirë. Nga këqyrja e makinës nga grupi hetimor, është qëlluar nga të dyja krahët, çka do të thotë se janë të paktën 2 autorë qitës.
Arsyet dhe rrethanat e kësaj ngjarje janë ende të paqarta, ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e saj.