Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë konfirmuar 14 raste te reja me koronavirus. Harta e të infektuarve është zgjeruar me 7 raste në Tiranë, 5 në Krujë dhe 2 në Shkodër. Drejtorja e Shëndetit Publik, Albana Fico bëri të ditur se në total numri i personave të infektuarve ka shkuar në 750. Ndërkohë listë së të shëruarve i janë shtuar edhe 9 pacientë të tjerë, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 431. Sipas Drejtores se ISHP, mosha mesatare e rasteve të konfirmuara me COVID-19 është 46.8 vjeç.
30 viktima-Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një 52-vjeçar nga Kruja me iniciale S. B i cili ka qëndruar për 8 ditë në reanimacion i intubuar në spitalin infektiv. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjarëve. Shkon në 30 numri i qytetarëve që e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.
289 persona aktiv me COVID19- Aktualisht në vendin tonë, 289 persona janë aktivë me COVID19 dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 27 të shtruar. 3 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje më të rënduar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 32 pacientë.
Harta e të prekurve Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Krujë dhe Shkodër.
Bashkia | Të prekur | Të shëruar |
Tiranë | 309 | 188 |
Shkodër | 107 | 64 |
Krujë | 97 | 9 |
Durrës | 42 | 38 |
Fier | 37 | 29 |
Kurbin | 31 | |
Korçë | 19 | 18 |
Elbasan | 18 | 15 |
Kukës | 18 | 10 |
Lezhë | 14 | 14 |
Has | 14 | 12 |
Kavajë | 9 | 8 |
Lushnje | 7 | 4 |
Vlorë | 5 | 4 |
Pukë | 5 | 4 |
Mirditë | 5 | 3 |
Rrogozhinë | 4 | 4 |
Tropojë | 4 | 4 |
Berat | 3 | 2 |
Mallakastër | 1 | 1 |
Mat | 1 |
Situata nën kontroll-Pavarësisht luhatjeve në numra ditorë situata vazhdon të jetë e kontrolluar.
Tregues për këtë janë numri i qëndrueshëm i shtrimeve në spitale dhe numri i ulët i qytetarëve që kanë pasur nevojë për frymarrje të drejtuar.
Apeli për qytetarët-Që kjo situatë të vazhdojë të jetë e kontrolluar dhe në kushtet e lehtësimit të disa masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e vendosura, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale. Këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.