Categories Lajme

Shkon në gjykim rasti i Fierit, prokuroria: Kujdes nga mashtrimi me kreditë!

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimin penal dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor një nga rastet më të rënda të mashtrimit me kredi të zbuluar në vitin 2019.

E pandehura P.B, ish- punonjëse e një institucioni financiar jo-bankë, akuzohet për kryerjen e veprave penale te “Mashtrimit në kredi” parashikuar nga neni 146 i Kodit Penal dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, të parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.

Personi në fjalë akuzohet se për 18 herë ka arritur të marrë kredi në emër të huamarrësve të tjerë të mëparshëm pranë këtij institucioni.

Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e kallëzimit të vetë institucionit financiar ku personi i pandehur ishte e punësuar dhe ku akuzohet se ka konsumuar veprën penale.

Në vijim, janë regjistruar dhe kallëzime penale të disa qytetarëve, ish-klientë të kësaj dege, që kanë kallëzuar se në emër të tyre janë përfituar kredi, për të cilat ata nuk kanë aplikuar dhe nuk i kanë përfituar personalisht.

Pasi të gjitha këto kallëzime penale janë bashkuar në një procedim të vetëm penal dhe janë hetuar nga Seksioni i Posaçëm pranë Prokurorisë Fier, në përfundim të hetimit është provuar se, e pandehura në cilësinë e punonjëses së dhënies së kredive pranë institucionit financiar, ka falsifikuar dokumentet e dhënies së kredive në emër të klientëve të mëparshëm të këtij filiali me qëllim përvetësimin për llogari të saj të shumave të kredive.

Gjatë hetimit të hetimit të këtij procedimi penal, Prokuroria e Fierit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Institutin e Policisë Shkencore Tiranë kanë kryer mbi 35 (tridhjetë e pesë) akte ekspertimi grafik shkrimi dhe nënshkrimi lidhur me verifikimin e të gjitha rasteve të kallëzuara.

Në përfundim, ka rezultuar se praktikat e marrjes së kredive nuk janë nënshkruar nga personat, në emër të të cilëve rezultojnë të nënshkruara, por janë falsifikuar nga e pandehura, duke përfituar dhe shumat përkatëse.

Prokuroria është shprehur në një deklaratë për mediat se sensibilizon të gjithë qytetarët që të denoncojnë në polici dhe prokurori çdo rast abuzimi lidhur me përvetësimin e kredive në emër të tyre nga persona të tjerë dhe të mos bien pre’ e skemave mashtruese në marrjen e kredive.

Sipas informacionit nga Prokuroria e Përgjithshme, vitin e kaluar u regjistruan 37 procedime penale për veprën “Mashtrimi në Kredi” Krahasuar me vitin 2019, numri i procedimeve për këtë vepër penale u rrit me 2.3 herë.

Prokurorja: Rastet në rritje, qytetarët të kenë kujdes

Prokurorja e çështjes, Ervisa Hyka, shprehet për “Monitor” se në rastin konkret ka pasur dyshime që punonjësja e institucionit financiar ka bashkëpunuar edhe me persona të tjerë, ndoshta eprorë të saj, për të realizuar skemën e mashtrimit me kreditë.

Megjithatë, e pandehura nuk ka pranuar të ketë bashkëpunuar me persona të tjerë dhe është shprehur se të gjitha veprimet i ka kryer e vetme, për shkak të nevojave të saj ekonomike.

Duke qenë se nga hetimi nuk është arritur të provohet përfshirja e personave të tjerë, akuzat për veprat penale janë ngritur vetëm ndaj punonjëses në fjalë.

Hetimi ka zgjatur afërsisht dy vjet, për shkak të nevojës për ekspertimin grafik të të gjitha shkrimeve dhe nënshkrimeve në dokumentet e aplikimit dhe në kontratat e kredisë.

Sipas ligjit, mashtrimi në kredi mund të dënohet me gjobë deri në shtatë vite burg. Zj.Hyka shpjegon se në kërkesën e Prokurorisë për masën e dënimit merren parasysh shumë elementë, që nga rrethanat, nëse vepra është e përsëritur apo jo, pranimi i fajit dhe bashkëpunimi gjatë hetimit nga i pandehuri, etj.

Në rastin e Fierit, prokurorja shprehet se kryerja e mashtrimit në mënyrë të përsëritur, 18 herë është rrethanë që e rëndon të pandehurën.

Por, nga ana tjetër, ajo thotë se e pandehura e ka pranuar krimin, ka bashkëpunuar me prokurorinë dhe është treguar e gatshme të dëmshpërblejë pjesërisht institucionin financiar. Ky dëm arrin në miliona lekë, duke përfshirë edhe interesat dhe penalitetet që i janë ngarkuar dhe, deri tani, e pandehura ka shlyer një pjesë të vogël, rreth 700 mijë lekë.

Prokurorja Hyka bën të ditur se veprat penale të këtij lloji janë shtuar në vitet e fundit dhe tipologjia e tyre është e ndryshme. Nga hetimet janë evidentuar raste kur individë janë përpjekur të marrin kredi me dokumentacionin e të afërmve të tyre, duke i mashtruar.

Për këtë arsye, sipas saj, është e domosdoshme që qytetarët të tregohen shumë të kujdesshëm në ruajtjen e dokumenteve të identitetit dhe në përdorimin e tyre qoftë në institucionet financiare apo në njësitë tregtare të marrjes së mallrave dhe shërbimeve.

Ajo thotë se në rast të dyshimeve se dikush mund të ketë përdorur identitetin dhe dokumentet për përfitimin e një kredie nëpërmjet mashtrimit, është e rëndësishme që ngjarja të denoncohet sa më shpejt.

Nga ana tjetër, këto ngjarje kanë provuar nevojën për forcim të procedurave të kontrollit të brendshëm, sidomos mes institucioneve financiare jo banka./ Monitor

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Mashtrimi në WhatsApp, më shumë se 100 të arrestuar në Spanjë

Më shumë se 100 persona janë arrestuar në Spanjë të akuzuar për vjedhjen e mijëra…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Elbasan/ Pensionistët: Punojmë punë të ndryshme për të siguruar të ardhurat

Të shumtë janë ata pensionistë në qytetin e Elbasanit që nuk kanë hequr dorë nga…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Në kërkim për kultivim të lëndëve narkotike, arrestohet 48-vjeçari në Shkodër

48-vjeçari, Pllumb Lohja është arrestuar në Shkodër. Lohja ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Përdorimi shtuar i pijeve alkoolike, mjekët ngrenë alarmin: Të mos abuzohet gjatë stinës së verës, po shtohet numri i…

Stina e verës shoqërohet me rritje të pacientëve që referojnë probleme të shëndetit mendor. Mjekët…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vlorë, arrestohet 20 vjeçari, dhe procedohen disa të tjerë

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë -Komisariati i Policisë Sarandë arrestoi në flagrancë shtetasin A. R.,…

LEXO ME SHUME