Në liqenin e Prespës së Madhe, në afërsi të fshatit Gollomboç, Pustec, është gjetur i mbytur shtetasi F. C., 40 vjeç.
Fredi Ceno 40 vjeç nga fshati Bitinckë i Bashkisë së Devollit së bashku me tre persona të tjerë ka shkuar për të peshkuar me grepa në bregun e ujërave të liqenit në fshatin Gollomboç.
Në një moment bëjnë me dije burime të siguruara 40 vjeçari ka lënë peshkimin dhe ka hyrë për tu larë i vetëm në ujërat e këtij liqeni por nga shokët e tij është vënë re pasiguria në notim nga ana e 40 vjeçarit dhe shokët e tij kanë hyrë për ta shpëtuar, por duket ka qenë vonë.
Ata e kanë nxjerrë në breg, por pa shenja jete.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe ka marrë në pyetje miqtë e tij për të sqaruar rrethanat e kësaj mbytjeje.
Trupi pritet të dërgohet në morgun e spitalit të Korçës aty ku mjekët ligjorë zyrtarisht do të bëjnë me dije shkakun e mbytjes.
“Me datë 28.08.2022, rreth orës 15:15, në liqenin e Prespës së Madhe, në afërsi të fshatit Gollomboç, Pustec, është gjetur i mbytur, pa shenja dhune, shtetasi F. C., 40 vjeç, banues në fshatin Bitinckë, Devoll.” – njofton policia.
Grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
