Showbiz

Këto fytyra publike shqiptare vdiqën në vitin 2021

Viti 2021 mund të konsiderohet i trishtë për humbjen e një numri të madh të yjeve të artit shqiptar. Viti që po lëmë pas mori me vete figura të shquara, veprat e të cilëve nuk do të vdesin kurrë.

Fillimi i këtij viti, pikërisht më 6 janar 2021 do të qe tejet i trishtë për familjarët dhe dashamirësit e kantautorit Kujtim Prodani, i cili u nda nga jeta para kohe si pasojë e infektimit me Covid-19, betejë të cilën artisti nuk mundi dot ta fitojë.

13 shkurti i 2021-shit hidhëroi publikun pasi u nda nga jeta në moshën 78 vjeçare aktori Andon Qesari. Artisti prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë e cila i mori jetën.

Në 18 shkurt poeti i njohur i polifonisë labe Lefter Çipa ndërroi jetë në moshën 79 vjeçare.

Më 1 mars të këtij viti mbylli sytë përgjithmonë në moshën 83 vjeçare kompozitori Agim Krajka. Krajka la pas një krijimtari voluminoze duke përjetësuar kështu emrin e tij të pavdekshëm.

Në 30 prill 2021 u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare artisti i njohur shkodran Berhan Nehani. Ai njihet si një ndër themeluesit e grupit “Karajfilat që ka Shkodra”.

2021-shi ndau nga ne, artistin e madh të dhjetra roleve të mëdha, Guljelm Radoja. Pas një beteje të gjatë me Covid-in, ai mbylli sytë më 5 maj të këtij viti.

Ahmet Golemi, boksieri i njohur shqiptar i shpallur pesë herë kampion u nda nga jeta më 15 maj në moshën 85 vjeçare, duke trishtuar të gjithë dashamirësit e tij.

Një ndër personalitetet më të shquar në historinë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare u shua në qershor të këtij viti në moshën 89 vjeçare. Në qershor të vitit 2021 u nda nga jeta ‘babai’ i Teatrit Shqiptar, Pirro Mani. Ai ishte një prej korifenjve të teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Penës shqiptare ju shkëput një emër i njohur në 6 korrik. Poeti dhe skenaristi Petrit Ruka u nda nga jeta në moshën 67 vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Ndarja e parakohshme nga jeta e dirigjentit shkodran Kujtim Aliaj ishte një humbje e trishtë për artin shqiptar. Aliaj mbylli sytë përgjithmonë në moshën 60 vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Këngëtari i madh shqiptar i muzikës së lehtë shqiptare Sherif Merdani u nda nga jeta më 29 gusht. Merdani ndërroi jetë në moshën 81 vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Mjeshtri i Madh i humorit shkodran Paulin Preka mbylli sytë përgjithmonë në 4 shtator 2021. Ai ishte 86 vjeç dhe prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.

Me 27 tetor regjisorja e njohur kosovare Burbuqe Berisha ndërroi jetë në vendin e saj të punës në Ministrinë e Kulturës në Prishtinë. Berisha u nda nga jeta në moshën 51-vjeçare duke lënë pas një numër të madh filmash si trashëgimi.


Fadil Kraja ishte dramaturg dhe letrar i shquar kombetar, që u nda nga jeta në moshën 91 vjeçare më 18 nëntor. Krijimtaria dhe emri i tij lidhen ngushtë me Teatrin Kombëtar Shqiptar dhe Teatrin “Migjeni” te Shkodres.

E papritur, e dhimbshme qe për të gjithë ndarja nga jeta shumë para kohe e artistes Hueyda El Saied. Artistja shumëdimensionale nuk mundi ta fitojë betejën me tumorin në gji dhe mbylli sytë përgjthmonë në moshën 46-vjeçare duke lënë pas një djalë 7-vjeçar.

Në fillim të dhjetorit të këtij viti, u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare, aktorja e njohur Edi Luarasi. Pas një beteje të gjatë me sëmundjen, ajo mbylli sytë në banesën e saj, e rrethuar nga familjarët dhe të afërmit.

Një sëmundje e gjatë nga e cila vuante prej kohësh, i mori jetën në moshën 64-vjeçare, poetit Arben Duka shumë pak para kremtimit të Krishtlindjes. Poet, autor i mijëra vargjeve, i një satire e humori goditës, Duka ka lënë gjurmë në letrat shqipe.

© SYRI.net

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: