Për shkak të emergjencës Covid-19, festivali ndërkombëtar “Eurovision” erdhi në Youtube me një finale të quajtur “Eurostream 2020”. Në platformën e “Eurostream 2020” u prezantuan këngët konkurruese dhe u shpall një fitues, i cili nuk është fituesi zyrtar i këtij festivali. Këngëtarja shqiptare Arilena Ara përfaqësoi vendin me audion e këngës “Fall from the sky” në natën e dytë të festivalit, në pamundësi për ta përgatitur në kohë videoklipin. Shqipëria arriti të kualifikohej në finale dhe u rendit në vendin e fundit me 63 pikë, 26 pikë nga juria dhe 37 pikë nga televotimi. Ndërkohë, fituesi i “Eurostream 2020” u shpall grupi “Daði og Gagnamagnið”, përfaqësues i Islandës me këngën “Think about things”. Në 5 vendet e para janë renditur Islanda, Lituania, Rusia, Suedia dhe Belgjika. Nuk dihet nëse Arilena do të na përfaqësojë sërish vitin tjetër në “Eurovision”, apo vendi do të zgjedhë një tjetër përfaqësues.

