Ndarja e çmimeve Grammy është shtyrë për shkak të pandemisë, thonë organizatorët.Ceremonia e cila ishte planifikuar të zhvillohej në 31 janar, tani do të zhvillohet në 14 mars , për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me virus në Los Angelos dhe Kaliforni.
Beyonce, Taylor Swift dhe Dua Lipa kryesuan nominimet për çmimet e këtij viti, të cilat u shpallën në nëntor. “Asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti dhe siguria në komunitetin tonë muzikor dhe e personave të cilët punojnë për të prodhuar shfaqjen,” tha një deklaratë nga Akademia e Regjistrimit që organizon Grammy. Nuk është ende e qartë nëse komediani Trevor Noah, i cili do të prezantonte shfaqjen do të marrë pjesë.
Organizata e cila merret me shpërndarjen e çmimeve, më parë kishte deklaruar se shfaqja do të zhvillohej online, por nuk janë dhënë detaje të mëtejshme. Shumë shfaqje të rëndësishme këtë vit kanë qenë të detyruara të zhvillohen online që nga fillimi i pandemisë.
