Pas çdo transferimi janë ata figurat qendrore dhe shpesh herë decizive, ndërsa në jo pak raste shkaktojnë edhe debate e diskutime. Bëhet fjalë për agjentët e futbollistëve, të cilët edhe këtë herë kanë përfituar shifra marramendëse nga transferimet.
Sipas të dhënave të publikuara nga FIFA Transfer Matchin System, agjentët e futbollistëve kanë arritur të arkëtojnë plot 529.3 milionë dollarë komisione transferimesh gjatë merkatos së kësaj vere. Plot 8746 transferime janë kryer me sukses këtë verë, ose rreth 200 më tepër se një vit më parë, ku u zyrtarizuan 8527 lëvizje futbollistësh, ndërsa komisionet për menaxherët u rritën nga 447 milionë dollarë në 529 milionë.
Klubet Europiane kanë bërë 76% të shpenzimeve totale në këtë merkato si dhe mbajnë rekordin e 48 prej 50 transferimeve më të shtrenjta, ndërsa vlen të theksohet se skuadrat blerëse kanë paguar 64 % të komisioneve për menaxherët.