“Sigurimi i vaksinës sa më parë është një prioritet i luftës sonë kundër Armikut të Padukshëm dhe s’do lemë gur pa luajtur që vaksina të fillojë të vijë sa më parë në Shqipëri”. Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama i cili informoi se është nisur drejt Shteteve të Bashkuara për këtë qëllim. “Kontakti sy më sy me prodhuesit e vaksinës i shërben këtij qëllimi. Rrugës për në Shtetet e Bashkuara”, tha Rama. Më herët, Kryeministri ka deklaruar se “Shqipëria po bën të gjitha përpjekjet për të garantuar vaksinat për COVID-19, pavarësisht çmimit të tyre”.
Rama ka nënvizuar se fillimisht do të fillojë vaksinimi falas i të gjithë kategorive më vulnerabël dhe pastaj ta shtrihet në të gjitha shtresat e popullsisë. Ndërkohë, qeveria shqiptare ka paguar edhe kaparin prej 3.9 milion euro duke u angazhuar menjëherë në financimin nëpërmjet aleancës Gavi dhe instrumentit Covax për vaksinën antiCOVID.
