Vazhdon ping-pongu me hetimin e dosjes 184, për shitblerjen e votave në zgjedhjet e vitit 2016 në Dibër. Në korrik të vitit të kaluar, kjo çështje iu kalua Prokurorisë së Dibrës, pasi në atë kohë Krimet e Rënda e argumentuan se nuk janë gjetur prova për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal. Për çështje moskompetencë, prokurori Klodian Braho e delegoi dosjen në Prokurorinë e Dibrës, atje ku edhe dyshohet se ka ndodhur vepra penale. Transferimin e dosjes e miratoi edhe ish-Kryeprokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku.
Në 22 janar të këtij viti, dy prokurorët e Dibrës e deleguan dosjen në Prokurorinë Speciale kundër korrupsionit e njohur si SPAK. Por një javë pasi u shqyrtuan materialet në këtë prokurori, çështja është rikthyer serish në Dibër. Edhe SPAK ka shpallur moskompetencë për këtë çështje. Dosja 184 u bë e njohur pas publikimit të disa përgjimeve nga gazeta gjermane BILD. Aty dëgjoheshin funksionarë të lartë të Partisë Socialiste, të cilët komunikojnë me zyrtarë, biznesmenë dhe policinë lokale mbi rezultatin e zgjedhjeve.
