I habitur ende nga vendimi i Gjykatës është shfaqur ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri para mediave. Pas orëve e orëve të tëra pritje, ai është njohur me vendimin e treshes së gjyqtarëve për ta shpallur fajtor për shpërdorim detyre me 5 vite që për shkak të gjykimit të shkurtuar ulet 1/3 e dënimit në 3 vite e 4 muaj dhe konvertohet në shërbim prove për 3 vjet dhe me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë tjetër vepër penale dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
Tahiri ka ndenjur që prej orës 15:45 në Gjykatë për të pritur vendimin dhe është shfaqur i tensionuar me duart e mbledhura. Por i pyetur nëse po i lutej Zotit për akuzat, Tahiri tha se i lutet vetëm për familjen dhe shëndetin duke dhënë ndoshta një tjetër mesazh të koduar.
“Unë Zotit i lutem vetëm për familjen time dhe shëndetin tim jo për gjëra që i kam në dorë vetë. Kështu që nuk po lutesha.
Nesër nëse do keni terezinë të më dëgjoni. Më thanë që ke ca kushërinj që kanë përdorur emrin tënd kështu që ke shpërdoruar detyrën. Kështu që çfarë t’u them”, deklaroi Tahiri.