Në rast se do të hapësh në biznes në Shqipëri, të mjaftojnë vetëm 4 ditë e gjysmë. Procedurat që duhet të kryhen janë vetëm 5. Këto të dhëna e shumë të tjera i nxjerr në pah raporti i të bërit biznes i Bankës Botërore. Krahasuar me raportin e vitit të kaluar, numri i procedurave mbetet i njëjtë, në 5 të tilla, por është përmirësuar koha për të kryer këto procedura, me gjysmë dite.Madje, sipas Bankës Botërore, të hapësh një biznes në Shqipëri është shumë herë më e lehtë se në Europën e Azinë qendrore apo edhe krahasuar me vendet e OECD, me nga 11.9 dhe 9.2 ditë respektivisht. Pra, më shumë se dyfish. Për hapjen e një biznesi të ri, Banka Botërore ka marrë në konsideratë një kompani me përgjegjësi të kufizuara ( sh.p.k ) në të gjitha 190 ekonomitë e analizuara, në mënyrë që krahasimi të jetë i njëjtë.Po kostot e hapjes së një biznesi sa janë? Kostot e maten në raport me të ardhurat për frymë, dhe rezulton se në Shqipëri, kjo normë fiksohet në 10.8%, në rënie krahasuar me vitin e kaluar, kur flitej për 11.3%, por bindshëm mbi mesataren e Europës qendrore dhe OECD, deri në më shumë se 3-fish.
Po të shohim me radhë procedurat që nevojiten për hapjen e një biznesi rezulton se, 4 ndër 5 janë me pagesë, e cila varion. Procedura e parë, ajo e regjistrimit në QKB dhe marrjes së numrit nipt kushton vetëm 100 lekë dhe kërkon vetëm 1 ditë. Procedura e dytë është pa para, dhe është ajo e regjistrimit të punonjësve në zyrën e taksave dhe atë të punës.Procedura numër tre, ajo e regjistrimi në bashki dhe marrjes së listës së taksave lokale, kushton 30 mijë lekë në formën e taksës së pastrimit dhe 27 mijë lekë në formën e taksës së përkohshme të edukimit. Në procedurën numër 4, sipas ligjit për procedurat fiskale, një kompani e re në Shqipëri duhet të blejë nga autoritetet tatimore fatura të printuara paraprakisht.Kjo procedurë kushton 360 lekë për 50 fatura. Procedura numër 5 është ajo e vulës së kompanisë dhe kushton nga 3 mijë deri në 5 mijë lekë.Kjo procedurë nuk është detyrim ligjor që prej vitit 2016, por për shkak të pengesave dhe interpretimeve të shumta ligjore, shumë kompani vendosin ta marrin vulën.