Categories Lajme

Të prekurit nga tërmeti, “pa bukë” në Kavalishencë

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal në shtëpitë e pushimit në Kavalishencë. Banorët e prekur nga tërmeti dhe përmbytjet e shtatorit, të cilëve iu janë shkatërruar shtëpitë, po vuajnë urinë në këto shtëpi pushimi. Fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët konsumojnë në mëngjes vetëm 3 biskota, çerek racioni me djathë dhe një filxhan çaj. Në drekë kanë përditë fasule dhe në darkë supë të hollë makaronash. Kjo është menyja e përditshme, e cila pakësohet çdo ditë që kalon.

Pas tërmetit të 21 shtatorit, 14 vende të Bashkimit Evropian dhe Turqia dhe Kosova, afruan ndihmë në ushqime, veshmbathje dhe vlerë monetare. Ndryshe nga sa u trumbetua nga pushteti lokal dhe qendror se do u vijnë në ndihmë çdo familje, realiteti është krejt ndryshe. Rreth 80 banorë që janë strehuar te shtëpitë e pushimit në Durrës, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme, kanë mungesa të theksuara në ushqime.

“Jemi rreth 80 vetë në Kavalishencë. Jemi strehuar se nuk kemi ku të shkojmë. Shtëpitë na janë shkatërruar dhe kemi frikë të jetojmë në to. Nuk kemi ku të vemi tjetër. Kemi dëgjuar që vijnë ndihma për të prekurit nga tërmeti, po ku shkojnë? Në Kavalishencë ka fëmijë, të moshuar dhe të sëmurë. Nga dita në ditë po na pakësohet ushqimi. Ankohemi, por na thonë këto kemi” thotë qytetarja, ndërsa pohon se një njeri nuk mund të jetojë me këto ushqime.

Fiks Fare u interesua pranë Emergjencave Civile, të cilat thanë se shtëpia e pushimit e ushtarakëve shërben vetëm si fjetore. Sipas tyre, këta banorë transportohen në mëngjes, drekë dhe darkë drejt mencës së Kavalishencës së policisë. Pas ankesës, bashkëpunëtorët e Fiks Fare filmuan se çfarë konsumojnë këto familje në mensën e Kavalishencës së Ministrisë së Brendshme. Në mëngjes atyre iu serviren vetëm 3 biskota, çerek racioni me djathë dhe 1 filxhan çaj. Familjet që jetojnë në Kavalishencë u ankuan te punonjësit e mensës, të cilët thanë se vetëm këto kanë.

“Nuk kemi ç’të sjellim, këto kemi” thana ata. Ndërkohë, banorët i pyetën se përse po iu hiqet ushqimi, ndërsa marrin si përgjigje se “mos dëgjoni ato që thonë ata lart”. Një qytetare që qëndron në Kavalishencë thotë se “na kanë hequr edhe qumështin për fëmijët”. Ndërkohë, personat që shërbejnë ushqimin thonë se “neve ça na japim, u sjellim. Në mëngjes 3 biskota, në drekë vetëm groshë do keni. Të na mbarojnë dhe këto dhe do u themi vetëm flini”. Një banor i drejtohet punonjësve se kanë dëgjuar për ndihma në televizor. “Lëre mo, akoma me llafet e atyre ju”, i përgjigjet punonjësi, ndërsa thotë se “për vete e kam marrë bukën nga shtëpia. Po nuk qau fëmija, nuk i jep ajo. Dhe ju, po nuk u qatë nuk ju jep njeri!”.

Nënat me fëmijë të vegjël, të moshuar dhe të sëmurët nisen drejt drejtorisë për tu ankuar. Kërkojnë takim me drejtuesit e Kavalishencës, por një punonjës policie i thotë se ata që janë strehuar te ushtria duhet të shkojnë atje, se atje do u zgjidhet problemi. Një pjesë e të strehuarve nisen drejt fjetoreve të ushtrisë dhe një pjesë qëndrojnë te fjetoret e policisë. “Gjejeni te ai drejtori i ushtrisë” u thonë punonjësit e policisë. Pas shumë sorollatjesh, një pjesë e banorëve takon nëndrejtorin e shtëpisë së pushimit të ushtrisë. Ai i thotë se nuk kanë ushqim, as mensë dhe as kuzhinë.

“Nuk është përgjegjësia jonë” i thotë ai, ndërsa shton se po të ketë urdhër do veprojë  Nëndrejtori i thotë se kanë urdhër nga Tirana që ti çojnë tek menca e policisë. Një punonjës tjetër i thotë se ushqimi është pjesa e Ministrisë së Rendit. “Ikni te Prefekti, te Shtabi i Emergjencave, s’kam as gatim dhe as soba. Kam vetëm dhoma” i thotë banorëve. Fiks Fare komunikoi me Prefektin e Durrësit, z.Roland Nasto, se përse të strehuarve në shtëpitë e pushimit iu është përgjysmuar ushqimi.

“Ushqimi është në bazë të normativës, me të gjitha. Ne në fillim patëm ndihmesë shumë nga donatorët dhe u dhamë çik më shumë. Tani kemi ardhur në atë të normës” thotë ai. Por, a janë 3 biskota dhe çerek racioni djathë norma e ushqimit? “Ne kemi marrë shumë donatorë, kemi dhënë ushqime plot dhe ndihma u kemi dhënë. Megjithatë e shohim dhe nesër prapë, po të kemi mundësi do ta shohim prapë” thotë ai. Vetëm pas interesimit nga Fiks Fare, Prefekti tha në fund se “do interesohem unë, faleminderit prej jush”.

Mensa e Kavalishencës së Ministrisë së Brendshme

Punonjësi i mensës – Nga shtëpia i kam marrë (i tregon tre kokrra vezë të ziera), nga shtëpia i kam sjellë 3 kokrra. Ti do thuash, unë i kam marrë nga shtëpia se s’ka. Po të shpjegoj që s’ka (ushqim).

Banorja 1 – Të ankohemi për ushqimin që na sillni ju, të ankohemi se s’po dimë…

Punonjësja e mensës – O zemër, nuk e kemi ne në dorë, ne punëtorë jemi. Unë kam kaq kohë…

Banorja 1 – Ne s’kemi punë me ju.

Punonjësi i mensës – Unë i thash e kam marrë nga shtëpia, ja vetëm bukën ha këtu, 1 fletë bukë.

Punonjësja e mensës – Është vetëm çaj dhe djath, aq është.

Banorja 1 – Ta dimë ku të ankohemi, punë me ju s’kemi.

Punonjësi i mensës – Ne ça të na japim, do t’ju sjellim. Pse ore s’kemi qejf ne… Ne si të na sjellin pjatën, si plot, si bosh, ne detyrën bëjmë asnjë.

Punonjësja e mensës – Ne në punë jemi!

Banorja 2 – Ju punëtorë jeni, dihet.

Punonjësi i mensës – Po tashti, 3 biskota. Pse këtë duam ne, unë kam qejf ta keni pjatën plot.

Banorja 1 – D.m.th, këtu ka mbaruar ushqimi?

Punonjësja e mensës – Normale, s’ka. Djath, çaj në mëngjes. Edhe sot do kesh grosh, do hiqet edhe pjata e dytë në drekë, do kesh groshë. 1 (pjatë) në drekë 1 (pjatë supë) në darkë, kaq.

Punonjësi i mensës – Të na mbarojnë edhe ato dhe pastaj themi rrini, vetëm flini, se për të hëngër s’ka.

Banorja 3 – Pse me vdek kemi ardhur?

Punonjësi i mensës – Po tashti.

Banorja 4 – Po ai televizori (lajmet për ndihmat!).

Punonjësi i mensës – Po lërë mo, akoma me llafet e atyne ju.

Banorja 5 – O gru, në fillim hëngrëm çik ushqim si të mirë. Tani erdhën 3 fije biskota. Po ça se jemi të mëdhaja, mirë fëmija po ne nuk na mban 1 kokërr vezë o grua. Edhe qumështi i bebeve iu hoq. Ça ti japim fëmijëve ne?! Nuk është faji i këtyne, ne të vemi te i madhi.

Punonjësi i mensës – Ajo është pra e gjitha. Ça të sjellin ato, ju prumë ne këtu.

Banorja 5 – Ne nuk themi për ju, po gjynah për qumësht…

Punonjësi i mensës – A do të jap bukën time ta hash.

Banorja 5 – Jo more, dal e lyp atje unë dhe ha bukë.

Punonjësi i mensës – Ore unë e mora bukën nga shtëpia, pse s’po du unë?

Banorja 6 – Po ti ke rrogën, ne s’kemi as rrogë.

Punonjësi i mensës – Po mirë, po ça faji kam unë.

Banorja 1 – Ja se hëngrën njerëzit ushqimin, ja tek e ke.

Banori – S’hamë që mëngjes ne biskota.

Punonjësi i mensës – Kështu siç po e ngre zërin, ngreja atje ku është për të pyet.

Banori – S’hahen biskota që në mëngjes, biskotat s’hahen në drekë…

Punonjësi i mensës – Po pra po, që të rregullohet është në dorë të juaj. Dëgjo, po s’qau fëmija, s’i jep me pi ajo. Dhe puna juaj kështu është, po s’qau s’u jep njeri, harroje!

Banorja 6 – Ne se kemi as koqen e vezës, po vdesin fëmijët urie.

Banorja 7 – Goca nuk e ha djathin, ka erë.

Banorja 8 – Mu lidh goja nga djathi.

Banorja 9 – Po hahet djathi me biskota, vetëm këtu kam parë!

Banorja 8 – T’ja fus brenda, t’ja fus…

Banorja 2 – Ja do pijë fëmija ujë, fëmija dy muajsh do pijë ujë. Ça ti marr, ku ka qumësht

Banorët ankohen te dy Kavalishencat, e Policisë dhe Ushtrisë

Banorja 8 – Kjo këmbë zbath, ajo këmbë zbath. Tjetra pa qumësht. Janë dy beba 2 muajsh dhe tjetra është 4 muajsh…

Banorja 1 – Rrini rehat se na u nxi jeta.

Banorja 3 – Po turp e faqja e zezë, 3 biskota. Ja ky e zëmë do shkoj në punë do i bjerë të fikët, s’ka takat me punu më!

Banorja 10 – I ha këto ti zemër?

Fëmija – (Tund kokën JO).

Pas disa minutash pritje, një punonjës policie i orienton te Ushtria!

Punonjësi i policisë – Do të shkoni me autobus atje të ushtria, se atje do t’u zgjidhet problemi.

Banorja – Po këta që s’janë të ushtrisë, kush ua zgjidh?

Punonjësi i policisë – Po ai, kur të vijë ai drejtori.

Banorja – Ëë, drejtori!

Punonjësi i policisë – Shkoni atje te ushtria, ju të ushtrisë! Ju lutem kaloni te ushtria, se atje e keni vendin ku flini, ku akomodoheni, do t’ja kërkoni atyre drejtuesve. Shkoni te ai drejtori i ushtrisë, mirë?! Atje kërkojeni.

Banorët nisen në këmbë nga Kavalishenca e Policisë drejt asaj të Ushtrisë

Nëndrejtori – Drejtori është me detyra të tjera, ka ikur deri në ministri sot. Për ça problemi bëhet fjalë?

Banori – Për racionin e bukës. As fëmijës s’mund t’ja japësh 3 fije biskota.

Nëndrejtori – Ne s’kemi ushqim këtu. Ne si shtëpi pushimi s’kemi ushqim këtu. Kemi rënë dakord, mesa di se nuk është përgjegjësia ime…

Banori – Shko ankohu na thanë (te policia) te drejtori.

Nëndrejtori – Kush drejtor, i joni?

Banori – Po, po.

Nëndrejtori – Ndoshta vjen një urdhër tjetër, po erdhi urdhër tjetër është e zgjidhir. Është nëndrejtori këtu, nuk ka asnjë lloj gjëje. Ne kemi vetëm akomodimin. Ne këtu nuk kemi ushqim, se po të kishim nuk ju çojshim (te menca e policisë). Ne na erdhi urdhër nga Tirana me u mar me u çu me hongër atje, se atje ka mencë, ka guzhinë. Ka personel gatimi, ne s’kemi. Se po të kishim s’ju sorollasnim juve me autobus.

Punonjësi i ushtrisë – Jua kemi thënë që ditën e parë që keni ardhur. Ne nuk ofrojmë ushqim, këto janë kushtet tona. Ushqimi është pjesa e akomodimit të Ministria e Rendit. Unë s’të them dot as po, as jo. 3-4 ditët e para, a ishit pa ushqim?

Banori – Po tani, a kishte atëherë, ku do hamë ne?

Punonjësi i ushtrisë – Shko te Emergjencat Civile. Siç je zotëri, ai që të ka sjellë këtu, se ke ardhur me një furgon të policisë bashkiake. Shko atje kush të ka sjellë. Unë vetëm kaq kam mundësi të të ndihmoj. Jam me hallin tënd, po s’kam ça të bëj. Ikni te Prefekti, te Shtabi i Emergjencave. Vetëm kjo është zgjidhja ime, unë s’kam këtu ça të jap. Unë s’kam gatim këtu, as soba, asnjë gjë. Kam thjesht vetëm dhoma.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Dërgohet në gjyq dosja për 58-vjeçarin: Falsifikonte dokumente, pasaporta e vula të institucioneve shtetërore shqiptare e të huaja

Prokuroria e Korçës ka dërguar në gjyq dosjen për 58-vjeçarin me iniciale A. R., i…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Përplasi efektivin në shërbim, arrestohet 21-vjeçari! Si është gjendja e policit 30-vjeçar

Një efektiv policie në shërbim është aksidentuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 1 në kërkim në Vlorë

Policia e Vlorës ka arrestuar dhe proceduar 4 persona për akuza të ndryshme si drogë,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vrau burrin me sëpatë në Sarandë, mbyllet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Gjykata e Sarandës ka zhvilluar sot një seancë lidhur me çështjen e 48-vjeçares Elvira Tahiraj,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Përfshihet sërish nga flakët fusha e mbetjeve në Vlorë

Problemi i djegies së fushës së mbetjeve vijon ende në qytetin e Vlorës. Pasditen e…

LEXO ME SHUME