Numri i pacientëve të infektuar me Covid në vendin tonë që i kanë dhënë fund jetës duke u hedhur nga spitalet ku po trajtoheshin ka arritur në 5. Psikologia Arjana Muça ka folur për Fax News duke thënë se mënyra e vetme për të shmangur rritjen e shifrës është shtimi i numrit të stafit mjekësor.“Ne kemi nevojë për shtim të numrit të stafit mjekësor që japin shërbimin shëndetësor për të sëmurët dhe më pas për shërbimin psikologjik. Ky shërbim ka filluar të jepet në spitale, por është me burime të pakta njerëzore dhe duke qenë se frika është e madhe dhe mënyra si funksionojnë spitalet, kjo duhet të kishte ardhur në mënyrë graduale që nga lockdown-i i parë që patëm. Duhet të ishin përgatitur profesionistë që në këtë moment, gjërat të ishin funksionale”, tha Muça.
Sa i përket përdorimit të pajisjeve celulare, të cilat nuk lejohen për pacientët e shtruar në spitalet Covid, psikologia tha se janë të domosdoshme për të ruajtur kontakte dhe për të qenë social me njerëzit. “Mjetet komunikative (celularët) janë të domosdoshme pasi humbja e kontakteve me botën përjashtë, pra e izolon individin. Ne nuk jemi qenie që jeton vetëm dhe për aq kohë sa jemi qenie speciale, e kemi nevojë të ndërveprojmë me njëri tjetrin. Edhe mjetet e komunikimit mund të mos e kryejnë funksionalitetin, ndaj është i rëndësishëm shtimi i stafeve mjekësore, sidomos i psikologëve”, tha Muca.
Ndërsa për panikun që i shkaktohet pacientëve dhe i bëjnë të kryejnë aktin tragjik, janë fjalët që qarkullojnë mes njerëzve për izolimin e dytë pasi shifrat janë tepër të larta. “Po flitet për një mbyllje për herë të dytë. Herë pas here dëgjojmë me njëri tjetrin që mund të ndodhë dhe një mbyllje nëse shifrat vazhdojnë të rriten me të njëjtin intensitet. Kjo sjell atë që quhet frikë dhe pasiguri. Ajo humbje e pasigurisë që ke për jetën, ndaj në lockdown-in e parë duhet të bënin ndërgjegjësimin për fazat e sëmundjes dhe kurimin nëpërmjet medikamenteve sepse ka protokolle që ndiqen dhe një pjesë janë të paqartë”, u shpreh psikologia Muça.
