Shqipëria u godit nga një tërmet i fortë me epiqender në detin Adriatik, pak kilometra larg Durrësit. Deri tani janë anë numëruar tre lëkundje tërmeti njëri me magnitude 5.8 të shkallës Rihter dhe intensitet prej 7.5 ballësh. Ndërsa dy të tjera më të lehta.
Lëkundjet janë ndjerë në Tiranë, Gjirokastër, Pogradec, Fier, Dibër e Shkodër. Situata ka krijuar panik te banorët. Mijëra qytetarë mbushën rrugën në të katër anët e vendit. Tërmeti ka shkaktuar dëme të shumta në banesa. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se në total në Tiranë dhe Durrës kanë marrë ndihmë mjekësore 67 qytetarë.
52 qytetarë kanë marrë mjekim te Spitali i Traumës me lëndime nga tërmeti, mes tyre është një fëmijë 9 vjeç. Aktualisht në spital janë 21 pacientë. “Pashë nga afër gjendjen e të lënduarve nga tërmeti. Nga momenti i mbërritjes, tani janë 52 qytetarë që kanë marrë shërbim dhe janë larguar. Të gjithë po marrin ekzaminimet e nevojshme. Situata e tyre paraqitet e qetë. Një rast paraqitet më rëndë. Por në përgjithësi situata është e qetë. Në spital ka staf shtesë për të përballuar çdo fluks. Vijojnë qytetarët të vijnë të marrin shërbime. Qendra e urgjencës Kombëtare është duke punuar intensivisht.
Po marrim qytetarët që kanë problematika. Janë situata që shoqërohen nga gjendje paniku. Urgjenca ka ndërhyrë edhe në shtëpi personat që kanë qenë në gjendje të rëndë. Vlerësimet do bëhen hap pas hapi. Nuk do mungojë asnjë element i kujdesit. Raste të tilla, kërkojnë gatishmëri dhe një plan emergjence, që nga vendosja e pacientëve në katet e para. Në Durrës 15 qytetarë kanë marrë shërbim shëndetësor në spital”, tha Manastirliu.