Efektivët e Komisaritatit të Policisë numër 2 në Tiranë kanë arrestuar një të ri, të shpallur në kërkim për “Vjedhje të kryer në bashkëpunim”, i dënuar me 4 vjet burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
Në zbatim të planit të masave “Për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim”, Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.2 lokalizuan dhe më pas ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim Genc Logu, 28 vjeç, banues në Tiranë (me precedentë të mëparshëm penal).
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 4 vite burg, për veprën penale “Vjedhje të kryer në bashkëpunim”, pasi në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë kanë vjedhur në zonën e Don Boskos dhe në rrugën “Artan Lenja” dy automjete. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.
Por kush është i riu që u bë i famshëm për shkak të një gafe në internet?
Dy vjet më parë Logu, ndaj të cilit rëndonte një urdhër-arresti evropian është arrestuar nga policia italiane në Napoli. Pasi i kishte shpëtuar disa herë arrestimit, Logu u identifikua nga policia e komisariatit të Castel Volturno (Caserta) falë një fotografie të postuar në rrjetet sociale. Në foto, pas shpinës së tij, dukej edhe një tabelë me të dhënat e rrugës. Kështu u zbulua se ai ndodhej në komunën Castellamare di Stabia (Napoli).
Prania në Itali e Logut, është raportuar që në vitin 2014 policisë italiane nga autoritet shqiptare që e kanë dënuar 26-vjeçarin me 4 vite burgim.
Asokohe, ai jetonte në komunën e Castel Voltuno, por arriti t’i shpëtonte prangave. Ndërkohë, për të u lëshua nga Gjermania një mandati arresti evropian për “krime kundër personit”, raporton ANSA. Hetimet vijuan derisa i riu postoi fotografinë e tij online, që çoi edhe në arrestimin e tij.
Por jo vetëm kaq. Logu në vitin 2009 u denoncua nga një adoleshente në Tiranë e cila tha se ishte marrë peng dhe ishte detyruar për marrëdhënie seksuale prej tij. Ajo tregoi në polici se djali e kishte dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht për ta detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale.
Adoleshentja ka rrëfyer se kishte dalë me të njohurin e saj Genc Logu atëherë 18 vjeç, i cili e kishte çuar vajzën në një banesë te “Dogana” në Tiranë. Burime nga policia e Tiranës, thanë atë kohë, duke iu referuar dëshmisë së vajzës, se 18-vjeçari kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të, duke e kanosur, duke e goditur me grushte.
Madje sipas saj i riu nuk është mjaftuar me pak por e ka mbajtur atë dy ditë të mbyllur. Sapo ka fituar lirinë, adoleshentja ka kërkuar ndihmën e policisë .BW