Përpjekja e tre shqiptarëve, për të grabitur filialin e një poste mëngjesin e sotëm në Vilia të Atikës në Greqi, ka dështuar pas lajmërimit të policisë nga menaxheri i saj.
Mësohet se ai ka shtypur butonin e alarmit sapo ka parë grabitësit, e pas kësaj një patrullë policie ka mbërritur brenda pak minutave në vendngjarje. nga të njëjtat burime bëhet e ditur se një nga oficerët e policisë është konfrontuar me grabitësit e armatosur. Për pasojë, ka hapur zjarr duke plagosur një nga sulmuesit.
Megjithatë, arratisja e dy prej tre sulmuesve ishte “mbresëlënëse” sipas mediave greke, pasi u përpoqën fillimisht për të vjedhur një kamion dhe të transportonin bashkëpunëtorin e tyre të plagosur, por, kur nuk ia arritën qëllimit, u zhdukën në drejtim të panjohur. I plagosuri me origjinë shqiptare është arrestuar dhe marrë në pyetje nga autoritetet.
Pronari i një dyqani përballë postës ka dëshmuar për mediat vendase gjithçka ndodhi, duke theksuar se grabitësit ishin të maskuar me kapuç.