Categories Lajme

U arrestua për vjedhje atletesh dhe përfundoi në koma, KShH zbardh ngjarjen e rëndë

Komiteti i Helsinkit ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur më 12 prill, ku 27-vjeçari Jani Rustemaj është arrestuar nga policia për vjedhje dhe më pas ka përfunduar në spital, ku ndodhet ende i shtruar.

NJOFTIM PËR SHTYP

“Monitorimi i të drejtave dhe lirive të shtetasit të paraburgosur J.R. gjendja shëndetësore e të cilit u përkeqësua pas qëndrimit prej afro 5 ditësh në ambientet e Bllokut të Sigurisë të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës”

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në përmbushje të misionit të tij, ndërmori një mision monitorimi pas disa sinjalizimeve në media se shtetasi me inicialet J.R, i minoritetit Rom, i arrestuar më datë 12.04.2023, për veprën penale të vjedhjes, ndodhet i shtruar pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) në gjendje të rëndë.

Grupi i vëzhguesve të KShH, i përbërë nga dy juristë dhe një mjek, ndërmori një mision monitorimi në institucionet si vijon: Blloku i Sigurisë i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe gjithashtu pranë kësaj Drejtorie, Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) 302 dhe 313 (Mine Peza dhe Jordan Misja). Gjithashtu u mor takim edhe me avokatin e caktuar nga familjarët e tij.

KShH vëren se shtetasi J.R kishte mbërritur në ambientet e Bllokut të Sigurisë, në datën 12.04.2023, pasi ishte arrestuar në flagrancë për veprën penale “Vjedhje” nga punonjësit e Komisariatit nr. 2. Në datën 13.04.2023, në orën 08:30 mjeku i Bllokut të Sigurisë ka realizuar vizitën e parë mjekësore brenda afatit prej 12 orësh nga momenti i ndalimit/arrestimit . Mjeku konfirmoi se shtetasi J.R është trajtuar konform praktikës së bashkëpunimit me Qendrën Aksion Plus, me metadon, me një dozë prej 40 mg në ditë, çdo 24 h. Kjo praktikë nuk është e formalizuar në ndonjë protokoll të veçantë mjekësor apo marrëveshje bashkëpunimi me Qendren, sipas pohimeve të përfaqësuesve të DVP Tiranë.

Gjatë qëndrimit në Bllokun e Sigurisë, J.R ka shfaqur shqetësimet e para shëndetësore në orët e para të mëngjesit të datës 14.04.2023, të cilat janë evidentuar nga rojet e sigurisë. Shtetasi ka pasur dridhje trupi dhe për këtë arsye është njoftuar urgjenca. Mjeku i urgjencës së QSUNT që ka trajtuar shtetasin J.R në datën 14.04.2023 ka shënuar në Librin e Vizitave Mjekësorë të Bllokut të Sigurisë trajtimin me me “solucion diazepam”. Nuk rezulton nga të jetë specifikuar doza e këtij mjekimi, ndërkohë kartela mjekësore e shtetasit pasqyron vetëm vizitën e parë mjekësore dhe nuk pasqyron konsulta të tjera, përfshi këtu konsultën dhe shërbimin nga stafi i QSUNT.

Në datën 15.04.2023 shtetasit J.R ju caktua masa e sigurisë “Arrest në Burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Në paraditën e datës 16.04.2023 (ora 10:35) Blloku i Sigurisë ka nisur procedurën e transferimit të shtetasit J.R dhe dy shtetasve të tjerë, pranë ambienteve të një IEVP-je, më konkretisht pranë IEVP 313 Tiranë. Dy shtetasit e tjerë ishin pranuar nga ana e IEVP-së 313, ndërkohë shtetasi J.R nuk ishte pranuar të akomodohej duke u kthyer rreth një orë më vonë në ambientet e Bllokut të Sigurisë.

KShH vëren se nga njëra anë punonjësit e policisë së shtetit të Bllokut të Sigurisë referojnë si shkak refuzimi të akomodimit të J.R pranë IEVP 313, faktin se ky shtetas është përdorues i lëndëve narkotike, ndërkohë që përfaqësuesit e sistemit penitenciar (IEVP) 313 deklarojnë se shkak ka qenë mbipopullimi. Këto të dhëna të verifikuara në terren janë kontradiktore. Lidhur me mbipopullimin, vëzhguesit e KShH verifikuan se IEVP 313 nuk ishte realisht në kushte të tilla, pasi sipas një Urdhëri të Brendshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, IEVP 313 ka një kapacitet akomodues prej 480 individësh, ndërkohë që në këto ambiente ndodheshin faktikisht 430 shtetas, pra 50 shtetas më pak se kapaciteti maksimal akomodues.

Ndërkohë, edhe pse nuk ishte transferuar fizikisht për në IEVP 302 që ndodhet në afërsi të godinës së Bllokut të Sigurisë, autoritetet e policisë në të njëjtin raport shërbimi janë shprehur se IEVP 302 nuk pranon këtë kategori të arrestuarish dhe J.R deklaroi se tek 302 ka hasëm. Për KShH është e paqartë shprehja “këtë kategori të arrestuarish” dhe marrja e mirëqenë e pohimeve të pretenduara nga i arrestuari për hasmëri, pa kryer verifikime lidhur me bazueshmërinë e tyre.

KShH, ndër vite ka realizuar monitorime në shumë IEVP, pranë të cilave ka konstatuar edhe mbipopullim, por ky nuk ka qenë asnjëherë shkak të dijeninë tonë që një person me masë sigurie arresti të caktuar nga gjykata të kthehet nga IEVP, për të qëndruar në ambientet e dhomave të sigurisë të Policisë së Shtetit. Rrjedhimisht, qëndrime të tilla si në rastin në fjalë, ndaj një shtetasi të Minoritetit Rom, vartës ndaj lëndëve narkotike, krijojnë dy standartizim në praktikën e autoriteteve dhe dyshime të arsyeshme, për trajtime të diferencuara me qasje diskriminuese ndaj tyre.

Një ditë pasi është refuzuar pranimi i këtij shtetasi nga IEVP 313 dhe IEVP 302, në orët e para të mëngjesit të datës 17 Prill 2023 (04:15), shtetasi J.R është konstatuar nga policët e dhomave të sigurisë në kushtet e simptomave shëndetësore problematike,. Pasi i është dhënë ndihma e parë nga policët roje të dhomave të sigurisë është njoftuar ambulanca dhe në orën 04:33 është realizuar transportimi i këtij shtetasi në urgjencën e QSUNT.
Gjatë monitorimit të zhvilluar në ambientet e Bllokut të Sigurisë monitoruesit e KShH u njohën me dy shkresa të cilat Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë i dërgonte Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat evidentuan vonesat e transferimit drejt IEVP-ve të dy shtetasve të ndaluar, për të cilët kishte vendime të formës së prerë të dënimit me burgim.

Vonesat e konstatuara për transferimin e këtyre shtetasve dhe në mënyrë të veçantë arsyet jo të bazuara në ligj për refuzimin e pranimit të shtetasit të Minoritetit Rom, J.R në ambientet e IEVP 302 dhe 313, e kanë vendosur atë në kushtet e kufizimit të paligjshëm të lirisë në ambientet në të cilat është mbajtur (Bllokut të Sigurisë). Gjykatës i është dashur afro 3 ditë (brenda afatit të parashikuar në nenin 28 të Kushtetutës) të vendosë për paraburgimin e J.R, por ai ka vijuar të mbahet tej këtij afati në Bllokun e Sigurisë, në kushte paligjshmërie, duke cenuar detyrimet që burojnë nga neni 22, pika 1, gërma “d”, të ligjit nr.79/2020 “Për Ekzekutimin e Vendimeve Penale”, sipas të cilit ekzekutohet me urdhër të gjykatës menjëherë pas shpalljes, vendimi penal që miraton kërkesën e prokurorit për masën e sigurimit me arrest.
Në mënyrë të veçantë, mbajtja në ambientet e sigurisë të policisë së Shtetit (Blloku i Sigurisë), të shtetasve të dënuar me vendim të formës së prerë dënimi apo, për shkak të vendimit të gjykatës për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, përbën shkelje të të drejtave të tyre, të parashikuara në ligjin 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. Ndër to është edhe detyrimi që kanë institucionet e sistemit penitenciar të sigurojnë kushtet, mjetet dhe personelin për mbrojtjen e shëndetit të të dënuarve. Organizimi dhe realizimi i kujdesit shëndetësor bëhen nga administrata e institucionit në bashkëpunim me qendrën spitalore të burgjeve dhe me organet shtetërore përkatëse të shëndetësisë.

Kjo situatë përbën regres në raport me konkluzionet që Komiteti për Parandalimin e Torturës (KPT) ka konstatuar në raportin e tij për Shqipërinë të afro 5 viteve më parë (Nëntor të 2018-ës). KPT beson se autoritetet shqiptare do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund përfundimisht praktikës së mbajtjes së të paraburgosurve dhe të dënuarve në ambientet e ndalimit në institucionet e policisë .

Vëzhguesve të KShH nuk iu mundësua dhënia e informacionit të shpejtë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, lidhur me denoncimin e familjarëve të shtetasit J.R (të realizuar me anë të avokatit), gjë që do t’i shërbente sqarimit të çështjes. KShH rithekson qëndrimin e mëparshëm, se qasja e përsëritur edhe më herët nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, që KShH të paraqesë kërkesë zyrtare me shkrim, për informacione që disponohen aty për aty nga ky organ dhe nuk përbëjnë sekret hetimor, dëmton aktualitetin e monitorimit dhe reagimit në kohë të një organizate të njohur në publik për misionin dhe veprimtarinë e saj.

Si ndodhi ngjarja?

27-vjeçari Jani Rustemaj është arrestuar nga blutë më 12 prill për vjedhje dhe më pas ka përfunduar në spital. Sipas informacioneve, ai u arrestua për vjedhje atletesh dhe një tapet. Burimet thonë se ai është përdorues droge dhe ka patur komplikacione për shkak të varësisë.

Sipas policisë, ai u arrestua më 12 prill për veprën penale “Vjedhja”. Në datën 14 prill, ka shfaqur shqetësime shëndetësore ndërsa ishte në Bllokun e Sigurisë te DVP Tiranë dhe nga strukturat që merren me sigurimin e të ndaluarve dhe arrestuarve është njoftuar shërbimi i emergjencës mjekësore dhe pas ndihmës që i është dhënë, gjendja e tij është përmirësuar. Një ditë më pas, ai është shoqëruar në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.

Më 16 prill pas daljes së urdhrit të ekzekutimit të masës së sigurisë nga Prokurori, është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm, dhe ai është dërguar në burgun 313, Tiranë. Autoritetet e burgut 313, nuk kanë pranuar që ta marrin në dorëzim për shkak të mbingarkesës në këtë institucion dhe në këto kushte ai është rikthyer dhe vendosur përsëri në Bllokun e Sigurisë Tiranë.

Me 17 prill, 27-vjeçari ka shfaqur sërish shqetësime shëndetësore dhe pas mbërritjes së emergjencës shëndetësore është transportuar në spitalin “Nënë Tereza”, ku dhe është shtruar.
Policia thekon se më 19 prill në ambientet e spitalit “Nënë Tereza”, është marrë në ruajtje nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Më datë 30 prill, në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim nëna e të arrestuarit e cila ka ngritur pretendime për trajtimin shëndetësor të djalit të saj. Policia thotë se strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë marrë në pyetje policë dhe stafin mjekësor të Bllokut të Sigurisë dhe materialet do t’i kalojnë për vlerësim Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Video/Ja momenti kur avokati Sokol Mëngjesi dhunohet para derës së kopshtit

Publikohet video nga momenti kur avokati Sokol Mëngjesi dhunohet para derës së kopshtit. Siç shihet…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Nëna dhe babai kërkojnë djalin e humbur prej 4 muajsh, i riu i surprizon live: Jam mirë

Mes lotësh dy prindër nga Elbasani, Bujar dhe Fiqerete Çepa mbërritën pasditen e kësaj të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

FOTO-EMRAT/ Identifikohen 4 autorët që dhunuan avokatin Sokol Mëngjesi

Policia e Tiranës ka identifikuar katër autorët që dhunuan avokatin Sokol Mëngjesin, mëngjesin e kësaj…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”Vihet në pranga një 27-vjeçar, të cilit iu gjet në automjet, një sasi lënde narkotike e ndarë në rreth 530 doza

Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”, goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vlorë, Vodhën një sasi karburanti nga kamioni i një firme ndërtimi, identifikohen dhe arrestohen 2 shtetas

Vlorë, Vodhën një sasi karburanti nga kamioni i një firme ndërtimi, identifikohen dhe arrestohen 2…

LEXO ME SHUME