Nga Ergys Alushi
U shua një kaniniot, një vlonjat i mirë! Një kontribues për Marinën, Flotën dhe vlerat e qytetit! Një Komandant prej vërteti! Ndahet nga jeta Kapiten i Rangut të Parë Sezai Osmëni. Ai ishte nga të parët shqiptarë që pas Luftes së Dytë Boterore studio për Marinë Ushtarake në Split e Baku, për të kryer pas perfundimit të studimeve një sërë detyrash me rëndësi Marinën Ushtarake të Shqipërisë. Midis viteve 1955-1958 toger Sezai Osmëni studioi në Akademinë e Detarisë “Voroshillov” në Leningrad, ish-Bashkimin Sovjetik (me medalje të Artë) dhe mbas kthimit emërohet në Komandën e Flotës Luftarake Detare, në detyrën e Shefit të Degës së Operacioneve të FLD.
Në vitin 1964 emërohet Shef i Shtabit të Flotiljes së 66-të në Sazan dhe në vitin 1968 në Drejtorinë e Operacioneve në SHP të FA. Në vitin 1976 Sezai Osmëni emërohet Komandant i Shkollës së Lartë të Oficerëve të FLD (Akademia e Detarisë), detyrë që e kreu deri në vitin 1980 kur doli në rezervë.
Sezai do të kujtohet si një njeri plot energji deri në fund të jetës së tij, duke qenë aktiv në të gjitha veprimtaritë që zhvilloheshin në qytet dhe dashurinë e tij të veçantë për vendin e origjinës, Kaninën. Të qoftë dheu i lehtë ashtu siç ishte deti për ty,miku im! Në një shtet tjetër do të meritonte të gjitha nderimet e larta!