Ditën e sotme, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se javën që vjen do të nisë vaksinimi i qytetarëve mbi 18-vjeç. Manastirliu e dha lajmin nga stadiumi “Air Albania”, ku ka ndjekur procesin e vaksinimit. “Pas mbërritjes së 340,000 dozave të vaksinave, kemi vendosur të kthejmë sërish ditët e hapura të vaksinimit, sipas planit të vaksinimit dhe rekomandimeve të ekspertëve të shëndetit publik. Do të jenë datat, nga dita e hënë e javës që hyjmë, deri në datë 25 korrik. Do të jetë java e parë e hapur e vaksinimit për të gjithë qytetarët +18 vjeç, në të gjitha qendrat shëndetësore, në pikat e vaksinimit masiv, duke shkuar edhe derë më derë. Do të jemi në komunitet për të realizuar këtë vaksinim të popullatës +18 vjeç në këtë javë të vaksinimit.
Aktualisht në Shqipëri janë më shumë se 1 milion e 500 mijë doza vaksine të mbërritura. Ndërkohë që të hënën ne presim dhe rreth 32 mijë doza të vaksinës Pfizer, për të vijuar me planin e vaksinimit dhe për ta zgjeruar akoma më tej”, tha ministrja. Ndërkohë që pranë ministers ishte edhe profesoreshë Albana Fico.
“Prej tashmë 2-3 javësh ne kemi folur për sinjale të pazakonta. Kemi marrë mostra, i kemi në Laboratorin e Referencës dhe vijojmë me monitorimin. E rëndësishme është të kuptojmë që pavarësisht shtrimeve spitalore shumë sporadike dhe fatmirësisht humbjeve të munguara të jetës, ne shikojmë që ka rritje të vogla të infeksioneve. Ndaj nuk duhet të harrohen masat dhe apeli ynë dhe apeli ndërkombëtar është vaksinim, vaksinim, vaksinim”, tha ajo. Në vendin tonë kanë mbërritur deri tani 1,578,790 doza vaksine ndaj COVID19. Janë kryer në total 1,052,108 doza, prej tyre 455,131 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.
