Situata nga Covid-19 duket se ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e numrit të vdekjeve në Shqipëri, ku rezulton se në tremujorin e tretë (Korrik-Shtator) të vitit 2020, numri i vdekjeve është rritur me 1308 vdekje ose 26.2% krahasuar me një vit më parë. Sipas shifrave të INSTAT, dy qarqet me nivelin më të lartë të vdekjeve janë Lezha dhe Shkodra, që ndiqen nga Tirana, Durrësi dhe Korça, ndërkohë që nga një analizë e shifrave të vdekjeve nga Covid 19 gjatë pandemisë, rezulton se 4 nga këto 5 qarqe kanë numrin më të lartë të vdekjeve nga koronavirus.
Vdekjet sipas INSTAT
Në muajin nëntor, INSTAT publikoi raportin për treguesit demografikë në Shqipëri, ku deklaroi se në tremujorin e tretë 2020, në të dymbëdhjetë qarqet e vendit shënohet rritje e numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. “Në tremujorin e tretë 2020, numri më i vogël i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 138 vdekje, ndërsa ai më i lartë në qarkun e Tiranës, me 1.706 vdekje.
Rritjen më të vogël në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të tretë 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 e ka qarku i Vlorës, me 2,6 %, ndërsa rritjen më të madhe në përqindje e ka qarku i Lezhës, me 46,4 %”, deklaroi në raport INSTAT, duke vënë në dukje se numri vdekjeve gjatë kësaj periudhe mund të mos reflektojë realitetin, pasi për shkak të situatës së Covid-19,mosraportimet nëpër zyrat e gjendjeve civile në të gjithë Shqipërinë, për numrin elindjeve dhe vdekjeve mund të mos jenë reflektuar në regjistrat përkatës. Kësisoj, të dhënat do të jenë objekt rishikimi për 2020 dhe do të rivlerësohen.

Vdekjet sipas qarqeve, burimi INSTAT
Sipas tabelës, vihet re se në tremujorin e tretë, numri vdekjeve në Lezhë është rritur me 96 raste, ose 46.4%. Ndërkohë, Lezha ndiqet nga Shkodra, me një rritje prej 169 vdekjesh ose 41.4%. Pas këtyre dy qarqeve, numrin më të lartë të vdekjeve e shënojnë Tirana, Durrësi dhe Korça, të cilat shënojnë rritje të përqindjes së vdekjeve më të lartë se rritja e përqindjes mesatare për 12 qarqet e vendit, e cila është në vlerën 26.2%.

Por si paraqiten qarqet, ku është rritur ndjeshëm numri i vdekjeve gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, në raport me numrin e vdekjeve të regjistruara nga Covid 19. Sipas të dhënave të analizuara, rezulton se numri më i lartë i vdekjeve nga Covid 19 për 10 mijë banorë rezulton se është në Tiranë, e cila ndiqet nga Shkodra, Lezha, Kukësi dhe Korça.

Pra, siç vihet re dhe në grafik, katër nga qarqet, të cilat kanë shënuar rritje të numrit të vdekjeve në tremujorin e fundit të vitit 2020, që janë Tirana, Shkodra, Lezha dhe Korça janë njëkohësisht qarqet me numrin më të lartë të vdekjeve nga Covid 19.Sipas të dhënave, në rang kombëtar shënohen 2.45 vdekje për 10 mijë banorë. Ndërkohë, në 5 qarqet e përmendura, ky numër është më i lartë se mesatarja e vendit.
Një tjetër fakt që vihet re nga shifrat e INSTAT është se ka ndryshuar tendenca e shifrave të vdekjeve, që sipas ekspertëve është pikërisht për shkak të Covid-19 në valën e dytë. Ndonëse Shqipëria arriti të minimizonte vdekjet në valën e parë të Covid-19 nga Marsi deri në Maj, vala e dytë e goditi më fort. Nga një analizë e shifrave të INSTAT rezulton se nga viti 2015, tremujori i parë i vitit ka shënuar numrin më të lartë të vdekjeve në vendin tonë, kjo për shkak të motit të keq dhe virozëve të shumta.
Por, në vitin 2020, tremujori i tretë shënoi humbje jete më shumë se tremujori i parë. Konkretisht, në 6-mujorin e parë të vitit, numri i vdekjeve ishte 3.5% më i ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa për periudhën korrik-shtator u shënuan gjithsej në vend 6,294 vdekje, me një rritje prej 25.7% për të njëjtën periudhë të vitit2019, ose 1,288 vdekje më shumë, duke arritur nivelin më të lartë rekord të dekadës së fundit. Pra për vitet 2010-2019, mesatarja më e lartë e vdekjeve në tremujorin e tretë të vitit ishte 5005 humbje jete në vitin 2015, ndërsa në vitin 2020, kjo mesatare shkoi në 6294 humbje jete.
Megjithatë, Covid 19, gjatë kësaj periudhe ka shënuar 400 humbje jete, ndërkohë që numri total i vdekjeve është trefish (1288 vdekje më shumë). Por, ekspertët shprehen se sërish faktori kryesor mbetet Covid-19, pasi sipas tyre jo të gjitha vdekjet nga Covid-19 janë raportuar si të tilla. Burime zyrtare nga ISHP shprehen se në raportimet zyrtare për Covid-19 jepen vetëm vdekjet në spitale, që janë konfirmuar me tampon, edhe pse mund të ketë vdekje të tjera që nuk kishin kryer ose nuk kishin marrë përgjigje të tamponit.
Pra, duke parë numrin e vdekjeve nga INSTAT, por dhe vdekjet e raportuara me Covid-19, vihet re qartë se Covid-19 është faktori kryesor i rritjes së numrit të përgjithshëm të humbjeve të jetës në tremujorin e tretë të vitit 2020.
Zonat e kuqe me Covid-19
Një tjetër faktor i rëndësishëm për luftën ndaj pandemisëështë cilësuar dhe intensifikimi i masave në zonat e kuqe. Po cilat janë zonat e kuqe në vendin tonë?! Nga muaji në muaj, ato kanë lëvizur ndjeshëm, duke marrë shkas dhe nga masat e tre muajve të fundit të qeverisë. Në muajin nëntor, kur u publikua dhe raporti i INSTAT për numrin e vdekjeve, dy zonat e kuqe mund të cilësoheshin Tirana dhe Gjirokastra, të cilat ishin dy qarqet me numrin më të lartë të infektimeve për 1 mijë banorë. Këto dy qarqe kapërcenin gati me dyfish numrin mesatar të rasteve aktive.

Por dy muaj më vonë, situata ka ndryshuar. Nga të dhënat e fundit të marra nga coronavirus.al (portal i qeverisë shqiptare për statistikat e pandemisë) rezulton se e vetmja zonë e kuqe mund të cilësohet kryeqyteti.

Sipas tabelës më lart, vihet re qartë se Tirana numëron rreth 15 raste aktive me Covid-19 për 1 mijë banorë, ndërkohë që mesatarja e 12 qarqeve është 8.29 raste aktive për 1 mijë banorë. Pra siç shihet, kryeqyteti ka pothuajse dyfishin e rasteve aktive, duke mbajtur të njëjtin trend rritës. Ndërsa Gjirokastra ka ardhur me trend ulës nga nëntori, pasi aktualisht mesatares e ka poshtë mesatares së 12 qarqeve.
Vdekjet në raport me infektimet
Një tjetër faktor i rëndësishëm për të parë shërbimin shëndetësor të ofruar ndaj të infektuarve me Covid 19 është dhe raporti i të vdekurve krahasuar me numrin e të infektuarve. Nga ana analiza e kryer vihet re se përqindja e vdekjeve nga Covid 19, krahasuar me numrin e të infektuarve, rezulton në kuotën e 2.13% në nivel kombëtar. Pra, rreth 2 të vdekur në 100 raste të infektuar me Covid 19.

Ndërkohë, qarqet ku ka pasur humbje jete më shumë tek të prekurit nga Covid-19, sipas numri të banorëve janë Dibra me 3.83%, Elbasani me 3.35%, Shkodra me 3.19%, Korça me 2.62%, Durrësi me 2.45%, Kukësi me 2.38% dhe Lezha me 2.29%. Të shtata këto qarqe janë mbi nivelin mesatar të personave të vdekur, krahasuar me numrin e të prekurve sipas çdo qarku. Ajo që vihet re është se Tirana, pavarësisht se ka numrin më të lartë të të prekurve dhe numrin më të lartë të vdekjeve për 1 mijë banorë, përqindjen e rasteve të vdekjeve nga personat e infektuar e ka shumë më të ulët se mesatarja e vendit. Pra, edhe pse Tirana është zona e vetme e kuqe për numrin e lartë të infektimeve, numri i të vdekurve me Covid-19 për raste infektimesh, është më i ulët se në qytetet e tjera. Kjo të bën të mendosh se trajtimi mjekësor në Tiranë është në nivel më cilësor se në qytetet e tjera, pasi siç dihet kryeqyteti ka pasur kushte shumë më të favorshme për trajtimin e të sëmurëve me Covid-19 sesa qytetet e tjera, ku shërbimi shëndetësor është më i mangët.
