Categories Kulture, Lajme

Video/Intervista e rrallë e Mbretëreshës Geraldinë

Intervista e gazetarit Blendi Fevziu me mbretëreshën Geraldinë është një nga materialet e rralla që është regjistruar nga Tv Klan në oborrin mbretëror shqiptar në Afrikën e Jugut. Kjo intervistë flet për një pjesë të historisë së Shqipërisë treguar nga vetë mbretëresha.

Gjatë intervistës mbretëresha Geraldinë si e vetmja grua që ka vënë mbi kokë kurorën e mbretërisë shqiptare rrëfen emocionet e takimit me mbretin Zog dhe dasmën madhështore që u mbajt në Shqipëri.

“Emisioni i sotëm është diçka më shumë se një emision televiziv. Është një pjesëe e historisë së Shqipërisë që ne jo gjithmonë e kemi mësuar ashtu siç ka qenë realisht. Një trupë e Tv Klan ka qenë një javë më parë në Afrikën e Jugut në oborrin mbretëror shqiptar në mërgim dhe protagoniste e kësaj historie është një grua disi e harruar tashmë në Tiranë, por në vitet 30-të ka hyrë në histornë e Shqipërisë duke vënë kurorë dhe duke u quajtur mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë. Pra është mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë, një fisnike hungareze që u martua me mbretin Zog dhe u vendos në pallatin mbretëror në Tiranë. Një fatalitet historik e detyroi atë të rrinte vetëm 11 muaj. Sapo kishte lindur djalin e saj ajo u detyrua që me një makinë të zakonshme të shtegëtonte drejt Greqisë duke humbur kështu jo vetëm mbretërinë, por edhe shumë gjëra të tjera të dashura si popullin dhe vendin që i dha kurorën. Është një histori shumë interesante. Ne kemi realizuar një emision mjaft të veçantë me materale të pa bëra publike më parë, siç është dasma e mbretit Zog. Do të shihni edhe komentet e shtypit të huaj për Geraldinën.

Xheraldina e Shqipërisë, e vetmja grua që ka vënë mbi kokë kurorën e mbretërisë shqiptare në vitin 1938 vazhdon të jetojë në Afrikën e Jugut. Vazhdon të ruaj kujtimet e Shqipërisë, por si ka mbërritur atëherë kjo vajzë e re 24-vjeçare në Shqipëri dhe si arriti kjo konteshë e lindur në Budapest të vinte në Tiranë për t’u bërë gruaja e Ahmet Zogut. Është një histori shumë interesante sepse ajo vjen nga një familje fisnikësh të vjetër hungarezë. Nëna e saj ka qenë amerikane dhe babai kont hungarez. Më pas nëna e saj është martuar me një francez dhe ajo është rritur në shtëpinë e njerkut të saj në Paris. Në vitin 1936-37 ajo ndodhej në Budapest ku Jak Koçi ambasadori i mbretit Zog gjeti disa fotografi të Geraldinës të cilat ia nisi mbretit, i cili ishte në tratativa për të gjetur një grua. Martesa e mbretit ishte paralajmëruar disa herë me një trashëgimtare të fronit të Italisë, por dështoi për arsye të mosmarrëveshjeve me kishën katolike. Më pas shkoi në Budapest ku mendoi se gjeti dashurinë me një kushërirë të Geraldinës, por dështoi. Në fund të vitit 1937 Geraldina erdhi në Shqipëri.

Mbretëresha Geraldinë vendosi të ndëronte disa azile në periferi të Tiranës, një spital, por të gjitha këto qenë të pamundura. Ajo u shtrua në spital gjatë shtatzënisë dhe në 5 prill 1939 dhe lindi Leka I. Pas lindjes u detyrua të udhëtojë drejt Greqisë për t’i shpëtuar sulmit Italian. Mbretëresha e Shqipërisë ka qëndruar vetëm 11 muaj në Shqipëri dhe 60 vjet pas saj në ekzil. Familja mbretërore ka shkuar fillimisht në Greqi, që andej në Turqi dhe nga Turqia në Francë, nga Franca në Londër dhe nga Londra në Egjipt. Është një odise mjaft e gjatë. Në vitin 1961 Geraldina humbi njeriun e saj më të afërt, mbretin Zog i cili vdiq në një spital të Parisit. Pas vdekjes së tij jeta për të nuk ka qenë shumë e thjeshtë, ajo u detyrua të shiste të gjitha xhevahiret, përfshi edhe unazën e fejesës për të siguruar jetën e saj dhe të djalit”, tha Fevziu në hyrjen përpa interviztës më mbretëreshën Geraldinë.

INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË, 16 Maj 1999:

Blendi Fevziu: Mbretëreshë ju jetuat në Shqipëri vetëm 12 muaj dhe më 6 Prill 1939 u detyruat të largoheshit nga Shqipëria. Ndërkohë që vetëm 24 orë më parë kishit lindur djalin, Lekën. Çfarë sjellni ndërmend nga Shqipëria, nga jeta juaj atje?

Mbretëresha Geraldinë: Nuk mund ta besoni sa e bukur ishte Shqipëria kur shkova unë. Ishte si një baçe me të vërtetë, Nuk e kam ndjerë veten të huaj dhe për këtë arsye gjithnjë e kam në mendje.

Blendi Fevziu: Kur ke dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë kur ishe në Budapest?

Mbretëresha Geraldinë: Në fillim nuk e dija se ku ishte Shqipëria, ishin mikeshat e mia që flisnin për Shqipërinë. Kemi folur shumë derisa erdhi puna kur më kërkuan. Dhe hera e parë që kam shkuar në Shqipëri ka qenë për të parë mbretin.

Blendi Fevziu: Ju si u lidhët me mbretin Zog, si ratë në kontakt?

Mbretëresha Geraldinë: Ai më ka sjellë disa njerëz të cilët kanë folur me mua dhe familjen time. Nuk ishte kollaj.

Blendi Fevziu: Por si ju njohu mbreti?

Mbretëresha Geraldinë: Në fund i kam thënë po, që do të vija në Shqipëri, por nuk doja që ta dinte bota se ku po shkoja. Unë nuk u dashurova vetëm me mbretin, por edhe me vendin. Ishte shumë bukur.

Blendi Fevziu: A ishit në dijeni ju se mbreti po ju kërkonte, pasi kishte gjetur fotografitë tuaja.

Mbretëresha Geraldinë: Po, ai i ka shkruajtur familjes, por shumë formal. Desha vetëm pak kohë. Kam filluar të flas shqip për 6 muaj.

Blendi Fevziu: A iu duk çudi që ju edhe pse një familje aristokrate, ishit një vajzë e thjeshtë nga Budapesti që do të beheshit mbretëreshë në Shqipëri. A patët emocione?

Mbretëresha Geraldinë: Po, natyrisht. Si familje kishim emocione përpara një mbreti. Por ishte me të vërtetë një ideal. Por më pas ka shkuar gjithçka mirë.

Blendi Fevziu: Si ishte Ahmet Zogu kur e takuat për herë të parë.

Mbretëresha Geraldinë: Ai ishte një burrë që ka bërë një pritje të civilizuar, edhe me ligjet. Me mua dhe fëmijën ishte shumë i butë dhe gjithë jeta me të ka qenë shumë e mirë.

Blendi Fevziu: Po me ju si u sollë herën e parë?

Mbretëresha Geraldinë: Shumë mirë. Kemi folur gjermanisht. Unë isha e çuditur si një burrë si mbreti mund të ishte i sigurt të më merrte mua për grua. Unë isha një budalle.

Blendi Fevziu: Në shumë komente dhe libra që janë botuar më pas thuhet që martesa juaj me mbretin krijoi probleme me Italinë. Madje thuhet se dërguan disa djem të rinj në Budabest që t’iu bënin ju të ndërronit mendje.

Mbretëresha Geraldinë: Jo, nuk është e vërtetë. Unë shkoja me familjen time shpesh në Venecia. Kur isha unë 19 vjeç më kërkuan ti qëndroja afër princeshës së Italisë, vajzës së mbretit të Italisë Viktor Emanueli III. Atje kam njohur vajzën e tij.

Blendi Fevziu: A mbani mend çfarë dhuratash keni marrë nga dasma dhe nga mbreti?

Mbretëresha Geraldinë: Mos pyet. Kanë qenë shumë bizhuteri të bukura që nuk i kam patur kurrë në jetë. Më tha që ato bizhu i kam për gjithë jetën. “Sot jemi në pallat, por nesër mund të mos kemi për të ngrënë” më tha. Atëherë isha shumë e emocionuar. Unazën e fejesës e kam mbajtur deri vonë, e shita kur ishim shumë në vështirësi. Kjo që mbaj sot në gisht është unaza e martesës.

Blendi Fevziu: Në libra thuhet se ju keni marrë një dhuratë shumë të veçantë në atë kohë nga Hitleri, një mercedez të kuq të hapur.

Mbretëresha Geraldinë: Nuk e di, di vetëm që ka qenë mercedez, por u dogj nga bombardimet.

Blendi Fevziu: Në libra thuhet se në vitin 1938 kur ju ishit shtatzënë dolët me mbretin në një jaht për të shkuar në Venecia dhe më pas u kthyet se keni patur shqetësime. Aty thuhet se kanë dashur të arrestojnë Ahmet Zogun.

Mbretëresha Geraldinë: Unë dhe mbreti nuk kemi bërë muaj mjalti pas martese dhe ai më tha të shkonim në Venecia me Jaht. Por unë u sëmura sepse isha shtatzënë dhe u kthyem. Italianët nuk donin që të ktheheshim sepse kishin planifikuar ta arrestonin.

Blendi Fevziu: Desha t’iu pyes vetëm për largimin nga Shqipëria

Mbretëresha Geraldinë: Nuk di shumë se isha në koma. Kam ikur me një mercedes dhe deri në Korçë kam qenë e vetëdijshme. Më pas për dy ditë kam qenë në koma dhe nuk mbaj mend gjë. Katër ditë më vonë erdhi mbreti.

Blendi Fevziu: A ka dashur mbreti të kthehet më vonë.

Mbretëresha Geraldinë: Po e mendonte gjithë kohën.

Blendi Fevziu: Po për Enver Hoxhën keni folur. Çmendonte ai?

Mbretëresha Geraldinë: Jo nuk kemi folur, di që ishte më keq se Stalini. Nuk mundem të them më tepër.

Blendi Fevziu: Kur filloi të ndihet sëmurë mbreti

Mbretëresha Geraldinë: Atij i filloi sëmundja e zemrës dhe kacerit 8 vite e gjysmë para se të vdiste.

Blendi Fevziu: A keni dëshirë të ktheheni në Shqipëri?

Mbretëresha Geraldinë: Po, në dashtë Zoti, kisha qejf të vdes në Shqipëri.

Blendi Fevziu: Çfarë kujton nga Shqipëria?

Mbretëresha Geraldinë: Kur mbreti na ka lënë, djali e kishte Shqipërinë vetëm si imazh.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Video/Ja momenti kur avokati Sokol Mëngjesi dhunohet para derës së kopshtit

Publikohet video nga momenti kur avokati Sokol Mëngjesi dhunohet para derës së kopshtit. Siç shihet…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Nëna dhe babai kërkojnë djalin e humbur prej 4 muajsh, i riu i surprizon live: Jam mirë

Mes lotësh dy prindër nga Elbasani, Bujar dhe Fiqerete Çepa mbërritën pasditen e kësaj të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

FOTO-EMRAT/ Identifikohen 4 autorët që dhunuan avokatin Sokol Mëngjesi

Policia e Tiranës ka identifikuar katër autorët që dhunuan avokatin Sokol Mëngjesin, mëngjesin e kësaj…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”Vihet në pranga një 27-vjeçar, të cilit iu gjet në automjet, një sasi lënde narkotike e ndarë në rreth 530 doza

Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”, goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Vlorë, Vodhën një sasi karburanti nga kamioni i një firme ndërtimi, identifikohen dhe arrestohen 2 shtetas

Vlorë, Vodhën një sasi karburanti nga kamioni i një firme ndërtimi, identifikohen dhe arrestohen 2…

LEXO ME SHUME