Spitali i Vlorës është pjesë e skenarit të parë për përfshirjen e spitaleve rajonale për trajtimin e të prekurve nga COVID-19. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar reanimacionin e ri të Spitalit Rajonal Vlorë, një investim i qeverisë me vlerë 56 milionë lekë. Rama siguroi qytetarët se pajisjet që janë instaluar sot në repartet e spitaleve që do të trajtojnë të prekurit nga COVID-19 janë bashkëkohore.
“Ja spitali i Vlorës, le ta shikojnë ata që mbushin dynjanë me helm për kapacitetet e për mungesën e strategjisë në luftë me Covidin. Dhe le të vazhdojnë të përsërisin si të dehur ose edhe të dehur realisht si Baba Xhikja, që po bëhet qameti, që s’ka shtretër, s’ka ilaçe, s’ka oksigjen, s’ka mjek. Po kur thonë që ne bëjmë propagandë? O Zot, këto që ju shihni qenkan propagandë, ato që flasin ata qenkan realitet! S’kanë faj kur ka akoma qorra me të dy sytë në ballë dhe shurdhë me të dy veshët në vend, që u besojnë dokrrave e dënglave të tyre. Ndjesë, po janë bërë realisht gangrena e kësaj shoqërie”, tha Rama.
“Ata që flasin për spitalet, o kanë qenë në spital më parë, e i parafytyrojnë spitalet e deri djeshme, o kanë dëgjuar nga të tjerët e ju ka mbetur fiksimi se po erdhe në spital është qameti. Këto nuk janë pajisje të 1914, por të vitit 2014 dhe ky spital që shohin njerëzit me të gjithë këto aparatura dhe sistem logjistike të njëjtë si në Angli, Francë apo Turqi”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se sot ka komplet një pamje e përmbajtje tjetër dhe është e rëndësishme që njerëzit ta dinë që ne nuk kemi problem kapacitetesh, për momentin. Mund të kishim pasur, Belgjika detyroi mjekët e infermierët në një nga spitalet që u identifikuan pozitiv të vazhdojnë punën. Por ne nuk e kemi. Kemi akoma 25% të kapacitetit të COVID 1, 2 3, , kemi COVID4 komplet bosh dhe ndërkohë kemi spitalet rajonale që janë gati për tu futur në front në rast se do të jetë nevoja”, deklaroi Rama.
Kryeministri po ashtu e cilësoi të shfrenuar propagandën për numrin e testeve.
“Ne kemi shumë besim te komiteti ynë i ekspertëve dhe nëse ne sot jemi në gjendje të angazhojmë para, jo thjeshtë për të rimbursuar ilaçet për të prekurit nga COVID-19, nëse ne sot jemi në gjendje të vëmë buxhet për familjen me ndihmë ekonomike që gjithë periudhën COVID ta kalojnë më me lehtësi e të mos kenë nevojë të punojnë në të zezë por të mbajnë distancën sociale larg situatave ku ka shumë njerëz, nëse jemi në gjendje tu japim naftëtarëve atë që vendosëm dje, atëherë të gjithë duhet ta kuptojnë se nëse do të kishte patur nevojë për më shumë teste do kishim marrë më shumë teste. Nuk na është kërkuar kjo gjë nga Komiteti”, tha Rama.
Sipas tij, sot debatet që po bëhet në vende që kanë bërë shumë teste është që pse nuk u ndaluar zinxhiri i infeksionit. “Nuk po them që e kemi bërë ne zbulimin që s’është nevoja të bësh teste e të mos mbash vëmendjen te zinxhiri, por kur del kancelarja gjermane e thotë po na del jashtë kontrollit zinxhiri i infeksionit atëherë ka një logjikë këtu. Dhe njerëzit duhet të kuptojnë që rezultati ka rëndësi. Sa kapacitet kemi dhe sa fatalitete kemi. Ne kemi fatalitete aspak më të larta se sa të tjerët, jemi ndër vendet me ekuilibër pozitiv mes infeksionit dhe fatalitetit në rajon”, tha Rama.
Sipas tij, ajo që është e rëndësishme është që njerëzit në këtë kohë sprove të madhe Shqipëria si rezultat i këtyre investimeve e përgatitjeve në vite ka spitale për COVID që nuk kanë asnjë dallim nga të tjerët. Ka mjekë që nuk janë gogolët që i kanë bërë por janë heronj dhe mbi të gjitha ka një komitet ekspertësh që faktikisht po tregohet në lartësinë e duhur të sfidës.
“Ne e dimë shumë mirë që komiteti ynë i ekspertëve janë njerëz që kanë shkollime e eksperienca jashtë por janë edhe në kontakte të vazhdueshme me institucione dhe homologë të tyre dhe diskutojnë edhe strategjitë e tyre. Nuk është e rastësishme që drejtori i OBSH-së vjen dhe bën vlerësime maksimale”, shtoi kryeministri. Manastirliu deklaroi se reanimacioni i ri është një investim transformues i cili ofron sot shërbim me standarde europiane.

“Spitali i Vlorës falë investimeve të qeverisë shqiptare ka përmirësuar kapacitetet e reanimacionit duke rritur kapacitetet dhe duke ndërtuar një reanimacion me standarde europiane. Ky është reanimacioni që ka të gjithë parametrat dhe standardet europiane, mund ta krahasojmë me një reanimacion të spitalit tercial”, tha Manastirliu. Ministrja Manastirliu nënvizoi se Spitali Rajonal Vlorë është gati dhe bën pjesë në skenarin e parë të hapjes së spitaleve rajonale pas plotësimit të kapaciteteve në spitale e dedikuar COVID për trajtimin e pacientëve me COVID-19 që kanë nevojë për shërbim të specializuar spitalor.
“Spitali rajonal i Vlorës është pjesë e skenarit të parë për përfshirjen e spitaleve rajonale në trajtimin e të sëmurëve me Covid. Në skenarin e përfshirjes së 5 spitaleve të para, spitali i Durrësit, spitali i Vlorës, spitali i Shkodrës, spitali i Elbasanit dhe Korçës kemi mundësuar rritjen e kapaciteteve dhe vendosjen e pavioneve të veçantë për trajtimin e të sëmurëve në momentin që do të kemi një ezaurim të kapaciteteve 550 shtretër”, tha Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë theksoi se për menaxhimi e situatës së pandemisë janë alokuar 25 milion euro ndërsa është fuqizuar flota e terapisë intensive në spitalet universitare dhe rajonale.

“Edhe skenarët që kemi projektuar kanë shkuar paralelisht me rritjen e kapaciteteve, me investimet e qeverisë në kuadër të përballimit të situatës së Covidit, pasi janë 25 milion euro të dedikuara, brenda të cilës është edhe ky investim që është bërë në një kohë shumë të shpejtë”, tha Ministrja e Shëndetësisë.
Drejtoresha e Spitalit të Vlorës Bruna Mersini e ka konsideruar një investim transformues.
“Në 2014 ishte vetëm një ekografi te vjetër që i shërbente një komunitet të gjerë në Spitalin Rajonal të Vlorës, sot kemi një reanimacion të kompletuar, me 14 shtretër, repsiratorë, 80 monitorë, aspiratorë, shiringa elektrike dhe mbi të gjitha kemi 5 mjekë të shkëlqyer reanimator dhe stafin e palodhur infermieror”, tha Mersini.
