Në datën 15 tetor, 27 nxënës të shkollës 9 vjeçare “Halit Coka” në Bathore, kanë përfunduar në qendrën shëndetësore Kamëz me simptoma helmimi.
Para se të përfundonin në spital, ata i janë nënshtruar procedurës së florizimit të dhëmbëve nga dentisti i shkollës.
“Pasi bëra gjelin e dhëmbëve hëngra bukë kur mbaroi ora e parë dhe më filluan dhimbjet e barkut. I tregova mësueses dhe i kërkova leje për të shkuar në banjë. Shkova, pata të vjella dhe më shumë dhimbje barku. Erdhi doktori e na tha se do të shkoni në spital”, tha një nxënës.
“Pasi më vendosën ilaçin e dhëmbëve unë nuk kam ngrënë dhe nuk kam pirë fare, por ndeja krisje barku dhe dhimbje koke si dhe ethe. Pastaj shkova në spital dhe bëra një serum. Tani jam pak më mirë, por jam pak e lodhur”, tha një nxënëse.
“Më dhimbte koka dhe më vinte për të vjellë. Pastaj duke zbritur poshtë kur po shkonim tek spitali pata marrje mëndësh”, shtoi një tjetër.
“Fillimisht ndjeva pak dhimbe barku e më kaloi. Kur dola në pushim të gjatë pata dhimbje edhe më të forta dhe pastaj më morën dhe më dërguan në spital dhe atje më bënë serumin. Serumi më qetësoi më shumë”, tha një tjetër.
Gazetarja: Me sa duket simptomat kanë qenë të njëjta për fëmijët e klasës së 6-të.
Mahmut Ajazi, Drejtor i shkollës “Halit Coka”: Menjëherë pranë fëmijëve u gjend edhe dentisti, doktor Bashkimi, por edhe infermierja e shkollës. Dhe unë aty vërejta se fëmijët ishin me dhimbje barku, marrje mëndësh, dhimbje koke.
Unë i pyeta a keni konsumuar ushqime të tjera dhe një pjesë e tyre kishin konsumuar pas florizimit të dhëmbëve që ishte bërë atë ditë, ndërsa një pjesë tjetër nuk kishin konsumuar.
Atëherë kemi zbritur poshtë, doktori ka marrë ambulancën, ajo u vonua më shumë se 7-8 minuta dhe në makinën e doktor bashkimit janë nisur 5 fëmijë. Në dy makina të tjera të mësuesve të shkollës janë nisur me urgjencë tek qendra shëndetësore në Kamëz.
Aty u është dhënë ndihma e menjëhershme me serum. Edhe ditën e dytë ne u interesuam që në mëngjes. Kemi shkuar tek klasa përsëri dhe bëmë lëvizjen e 3-4 fëmijëve që kishin shqetësime, ndoshta ishte edhe ana psikologjike. Edhe ditën e tretë bëmë të njëjtën gjë. Në evidencë kam kërkuar që me çdo kusht të dalë shkaku i helmimit të nxënësve të shkollës sonë.
Dentisti pretendon se gjithçka është bërë brenda protokollit dhe produkti i përdorur ishte brenda afatit të skadencës.
Dentisti: Dëgjo goce! Unë kam kohë, që e bëj këtë aplikim. Çdo vit, 2 herë në vit, bëhet në klasat e 6-ta në momentin, që fillojnë e dalin dhëmbët e përhershëm. Është për forcimin e smaltit dhe mbrojtjen nga karjesi.
Gazetarja: Po.
Dentisti: Unë para një jave i kam bë 60 nxënësve, nuk pati asnjë problem. Ai është brenda të gjitha kushteve. Atë mostrën e ka marrë policia gjyqësore. Ia kam dhënë të gjitha të dhënat, faturën nga e kam marrë materialin.
Gazetarja: Ju e merrni nga magazina e ASHR-së?
Dentisti: Po! I njëjti gjel përdoret në të gjithë shkollat e Tiranës edhe nuk kam pas ndonjëherë komplikacion. Tani dyshimi hidhet, se unë e aplikova atë, po dyshimin e kam edhe te ushqimet.
Gazetarja: Po pra, por ka nxënës që edhe nuk kishin konsumuar asgjë pasi kishin dalë nga dentisti, apo përpara. Pra shqetësimet kanë ardhur pasi kanë marrë trajtimin tek ju.
Dentisti: Ai është një trajtim lokal.
Gazetarja: Ju e keni vënë re datën e skadencës së këtij medikamenti?
Dentisti: Po, po! 2021 e ka të stampuar aty, nuk e bëj atë gabim, se jam prind vetë njëherë. Për çdo gjë, që fus unë e kontrolloj edhe pasi ta hapi, se varet, kutia mund të ketë diçka tjetër, edhe pasi ta hapi, i kontrolloj fije për fije të gjitha.
Në ASHR, mjeku specialist Gimjan Dokle thotë se janë ngritur grupe pune për të hetuar rastin.
Pas një jave, konkluzioni është se disa nxënës kanë ngrënë pas aplikimit të produktit dhe nuk kanë respektuar 2-orëshin e mosngrënies dhe mospirjes. Pjesa tjetër, sipas hetimit, është përfshirë nga paniku.
Gimjan Dokle, mjek Specialist: Mjeku stomatolog për dy klasat që kanë marrë këtë shërbim para pushimit të gjatë, është fjalë për fëmijë, ka këshilluar sipas edhe protokollit edhe përdorimit të këtij medikamenti që të mos hahet ushqim dhe as të mos pihet ujë për dy orë. Disa fëmijë e kanë shkelur këtë këshillë ose nuk e kanë zbatuar.
Gazetarja: Më rezulton se ka fëmijë që edhe nuk kanë ngrënë fare, por i kanë pasur këto simptoma.
Gimjan Dokle, mjek Specialist: Duhet të dimë një gjë, në këto raste, sidomos kur ka intoksikacione, pjesa e panikut tek të gjithë ata që kanë marrë këtë shërbim mund të kenë qenë edhe arsye paniku dhe kanë shkuar.
Është më shumë pjesa e perceptimit se sa pjesa klinike. Për pjesën e fajit, mjeku stomatolog ndoshta duhej të ishte treguar më i kujdesshëm dhe të mos u kishte dhënë fëmijëve këtë medikament para orarit të pushimit të gjatë.
Ky nuk është një gabim, kjo është një këshillë që duhet të ishte marrë parasysh.