Një tjetër rast i paligjshëm të lojërave të fatit është goditur në Elbasan. Uniformat blu bëjnë me dije se kanë arrestuar katër shtetas ndër ta edhe pronarin e një lokali, i cili e kishte vendosur ambientin në dispozicion për ushtrimin e aktivitetit të kundërligjshëm.
“Arrestohet K. K., 62 vjeç, banues në Elbasan, pronari i lokalit ku ushtrohej veprimtaria e kundërligjshme e lojërave të fatit. Gjithashtu u arrestuan shtetasit A. H., G. H. dhe R. B., klientë në lokalin e shtetasit K. K., të cilët u kapën në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një tavolinë pokeri, shuma parash dhe sende të paligjshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet u rereferuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
