Grupi Regjional i Evropës Kontinentale ka miratuar sot marrëveshjen e re energjitike mes Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Europian të Sistemit të Transmetimit të Energjisë (ENTSO) për pavarësinë energjitike të Kosovës.
Lajmin e mirë e ka konfirmuar dhe Rozeta Hajdari, ministre e Ekonomisë e Kosovës e cila shkruan se me marrëveshjen e re Kosova dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Kosovës kanë fituar pavarësinë energjetike.
“Sot më 20 prill 2020, në ora 17:00, ka përfunduar procesi i votimit për marrëveshjen e re të kyçjes KOSTT- ENTSO –E. Marrëveshja e Re është miratuar nga RGCE (Grupi Regjional i Evropës Kontinentale). Me votimin e sotëm dhe nënshkrimin që do të pasojë, të marrëveshjes së re të kyçjes ndërmjet KOSTT dhe ENTSO-E, KOSTT dhe Republika e Kosovës fitojnë pavarësinë energjetike, për të cilën është punuar disa vite me radhë”, shkruan ministrja Hajdari.
Gjithashtu, ministrja Rozeta Hajdari ka falënderuar vendet mike që kanë ndihmuar Kosovën në këtë proces.
“Me këtë rast falënderojmë Gjermaninë me partnerët, SHBA dhe vendet tjera mike. Njëherësh përgëzojmë KOSTT për këtë arritje të jashtëzakonshme! Urime Kosovë në këtë kohë të vështirë me pandeminë COVID -19 por me suksese historike”, përmbyll ajo.