Njëzet vite më parë Presidenti i Federatës Ruse, Boris Yeltsin e caktoi kryeministër një njeri atëherë pak të njohur, shef i sigurimit me pak përvojë politike, që prej atëherë ky njeri po e trazon botën me qëndrimet dhe veprimtarinë e tij, transmeton Gazeta Metro. Me gjithë problemet që po has ekonomia ruse nga kriza, popullariteti i Presidentit Vladimir Putin ka arritur nivele rekord, edhe pse po protestohet me ngulm në Moskë, dhe si gjithmonë egër po shtypen protestuesit, sanksionet perëndimore kundër Moskës nuk kanë arritur ta ndalin përfshirjen e Rusisë në Ukrainë e aneksimin e Krimesë nga rusët.
Me hap solemn, drejt varrit të Ushtarit të Panjohur pranë mureve rrethuese të Kremlinit, Presidenti Vladimir Putin vendosi një kurorë me rastin e Ditës së Mbrojtësit të Atdheut – një festë kombëtare që nderon fitoret ushtarake të Rusisë dhe veteranët. Megjithatë, nuk janë fitoret, por shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 ajo që i dha formë vizionit të zotit Putin, thotë Edward Lucas, autor i librit “Lufta e Re e Ftohtë”: “Ai ka bindjen se Rusisë ia bënë me hile në vitet 1990 dhe se Bashkimi Sovjetik u rrëzua dhe u turpërua nga Perëndimi; ai mendon se ka ardhur koha të rikthehet statusi dhe territori i mëparshëm” thotë për të Edward Lucas autori i librit “Lufta e re e ftohtë”
Udhëheqësit perëndimorë thonë se ky vizion po shpaloset në Ukrainë dhe e akuzojnë zotin Putin se ka dërguar trupa përtej kufirit, një akuzë që Kremlini e hedh poshtë. Perëndimi ka vendosur sanksione kundër disa oligarkëve të afërm me Putinin. Putin ka qenë oficer i shërbimit sekret të Bashkimit Sovjetik, KGB’së, ku arriti të ngjitet deri në gradën e Nënkolonelit. Pastaj ishte dhe kreu dhe reformatori i saj, i njohur për drojën e tij nga elektronika dhe ‘vesi’ i tij i mbajtjes së takimeve me staf në bodrumet e shkatërruara të Lubjankas famëkeqe. Presidenti Amerikan, Bill Clinton, i ishte ankuar Boris Yeltsin’it pas takimit të parë me Putin se ky njeri nuk është i përqendruar në demokratizimin e Rusisë.

Helmimet e ish spiunëve të KGB’së në Britani, dhe familjarëve të tyre, përfshirja e shtetit në organizimin e hileve me doping për atletët rus, homofobia, shtypja e çfarëdo opozite në vend, sulmi i sistemit digjital mbi Estoninë, prova e ndikimit në zgjedhje në SHBA dhe BE janë disa prej aktiviteteve ndryshme të Putin. Tjetri rast që kishte trazuar diplomacinë botërore ishte sulmi i Gjeorgjisë pikërisht në ditën e parë të lojërave olimpike, si shembull i gjakftohtësisë së tij.
“Ai ka ruajtur ashpërsinë dhe dinakërinë që e karakterizojnë punën me KGB’në. Po ashtu i ka hyrë në qejf fama. Ai ka dalë nga hijet e fshehtësisë duke u ngritur në qendër të skenës ndërkombëtare dhe i pëlqejnë këto aspekte të famës” shkruan Lucas. Me gjithë pozitën që ka, Presidenti Putin pohoi në nëntor në një intervistë me agjencinë shtetërore ruse të lajmeve se nuk ka shumë miq: “Nuk ndjehem i vetmuar, megjithëse tingëllon e çuditshme. Por nuk kam shumë takime me miq, apo kontakte me shokë”. Rrallë herë ka momente të tilla sinqeriteti nga zoti Putin. Ai përpiqet gjithmonë të reflektojë një imazh burrërie. Vështirë të harrohet fotografia ku ai pat dalë pa këmishë, hipur në kalë, apo kur vizitonte mbetjet e një nëndetëseje si dhe kur fluturonte pranë një tufe lejlekësh me një avion të vogël. Këto pamje fshehin pasigurinë e tij thotë Ben Judah:
“Putini është një njeri shumë i vetmuar, i trishtuar, tepër i izoluar; tmerrohet nga problemet shëndetit që mund të ketë, ndjen një keqardhje të thellë për veten që i ka rënë kjo barrë mbi supe për të fuqizuar Rusinë dhe që i duhet të ballafaqohet me probleme të tilla”. Analistët thonë se tipare të tilla komplekse të karakterit të presidentit rus janë të nevojshme për të kuptuar individin që fshihet pas udhëheqësit të Kremlinit: një president dhe një ish-spiun i vendosur për t’i rikthyer me çdo kusht Rusisë lavdinë e mëparshme.
