Mesfushori i Tottenham Hotspur, Dele Alli, ka kërkuar falje për postimin tallës në rrjetet sociale në lidhje me koronavirusin, duke thënë se e ka zhgënjyer vetveten dhe klubin. 23-vjeçari e postoi një video në rrjetin social Snapchat, në të cilën u tall me sëmundjen që është shpërndarë së fundmi në Kinë dhe disa vende të tjera të botës, si dhe bëri shaka me një burrë aziatik.Më vonë, Ali e fshiu postimin dhe pastaj e publikoi një video në rrjetin social kinez Weibo për të kërkuar falje.
Koronavirusi i ka shkaktuar më shumë se 900 vdekje në Kinë, ndërsa në tërë botën janë raportuar mbi 40 mijë raste me koronavirus. Në video, Alli shihet me maskë në një aeroport, para se ta shfaqë në kamerën e tij një aziatik dhe pastaj ta zmadhojë në kamerë një shishe antiseptike për larjen e duarve.
“Nuk ishte qesharake dhe këtë e kuptova menjëherë, prandaj e fshiva. E zhgënjeva veten dhe klubin”, tha Alli, i penduar për videon. “Kjo nuk është diçka për të cilën ne duhet të tallemi. Dashuria, lutjet dhe mendja ime janë me të gjithë të prekurit në Kinë”, shtoi ai.
