Pas mbledhjes së Kryesisë ditën e hënë, Partia Socialiste do të mbledhë të premten Asamblenë Kombëtare, ndërsa është zbardhur dhe axhenda e këtij takimi.
Mbledhja pritet që të nisë në orën 10:00, ndërsa fjalën e parë do ta mbajë kryeministri Edi Rama. Në këtë mbledhje asambleje janë renditur 8 pika, kryesisht me karakter organizimin e PS-së përpara zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Mes tyre vlen të theksohet riorganizimi i brendshëm i PS, miratimi i vendimit për krijimin e regjistrit dixhital të PS, miratimi i vendimit për krijimin dhe funksionimin e shtabeve elektorale në të gjitha nivelet për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, thirrja e kongresit të PS në datën 30 mars 2019 si dhe miratimi i vendimit për ngritjen e grupit të punës për statutin e ri të PS.
Në asnjë nga pikat e Asamblesë nuk thuhet se do të ketë diskutim lidhur me performancën e ministrave, duke lënë pezull edhe njëherë tjetër zërat se mund të ketë shkarkime të disave prej tyre.