Gjatë mëngjesit të sotëm policia e Shkodrës ka bërë të mundur arrestimin e autorit që vrau Ramazan Matajn, ngjarje e shënuar mbrëmjen e 4 janarit.
Gjithsej në pranga të policisë kanë rënë 4 persona, ku njëri prej tyre dyshohet të jetë autori dhe 3 personat e tjerë bashkëpunëtorë në krim. Personat e arrestuar kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrin, dy prej tyre janë babë e bir dhe dy të tjerë janë të afërmit e tyre, ndërsa dyshohet që këta persona të jenë fqinj të viktimës.
Burime për media kanë bërë me dije emrat e 2 prej të arrestuarve, bëhet fjalë për Rustem Hasaj dhe Arjon Hasaj, babë e bir.
Njëri prej të arrestuarve është kapur nga autoritetet në kufi teksa po tentonte të largohej jashtë vendi ndërsa një tjetër është arrestuar në banesë.
Ngjarja ka ndodhur në 4 janar në zonën e Dragoçit ku makina e tij u qëllua me breshëri plumbash. Autorët janë vënë në ndjekje të Matajt dhe të lëvizje të tij ndërsa dyshohet se ata i kanë ngritur pritë rreth 1.2 kilometra larg shtëpisë.
Pista kryesore ku grupi hetimor ka përqëndruar hetimet është ajo e konflikteve personale të viktimës. Dyshohet se Ramazan Mataj ka ngacmuar vajza në rrjetet sociale, histori të cilat mund të kenë krijuar debate që fatkeqësisht përfunduan në tragjedi.