Portieri brazilian i Liverpoolit, Alisson Becker, ka bërë të ditur se ai ishte ndierë keq për Loris Kariusin, pasi ky i fundit i kishte bërë dy gabime të rënda në finalen e sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve. Në ndeshjen më të madhe të karrierës së tij, Karius i kishte bërë dy gabime të mëdha në Kiev. Rastin e parë ia kishte gjuajtur topin Karim Benzemas, i cili e kaloi Real Madridin në epërsi, ndërsa në rastin e dytë ai e lëshoi topin pas goditjes së Gareth Bale, duke e shkaktuar edhe golin e fundit në ndeshjen që përfundoi me rezultat 3-2 për “Los Blancos”.
Sapo kishte përfunduar ndeshja, Kariusi kishte filluar të qante pasi që besonte se ia kishte humbur ndeshjen Liverpoolit, si dhe besonte se i kishte dhënë fund karrierës së tij me klubin anglez. Gjatë verës, ai u huazua në Besiktas. Trajneri Jurgen Klopp reagoi menjëherë ndaj këtyre dy gabimeve, duke i shpenzuar 65 milionë euro për transferimin e Alissonit nga Roma. Që nga atëherë, braziliani ka arritur ta mbajë portën e paprekur në 12 nga gjithsej 21 ndeshje, rekordi ky më i mirë për këtë sezon të Premierligës.
“Edhe kur ekipi im shënon pas një gabimi të rëndë nga portieri kundërshtar, është një ndjenjë e çuditshme për mua. Nuk e festoj atë gol si të gjitha golat e tjera gjatë ndeshjes”, ka thënë 26-vjeçari, i cili është portieri i dytë më i shtrenjtë në histori të futbollit. “Unë e di se çfarë kalon në mendjen e portierit në ato momente. U mërzita shumë kur i ndodhi ajo gjë Kariusit pasi që një gjë e tillë mund t’i kishte ndodhur kujtdo”.