Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike, ka shpallur 12 pozicione të lira pune në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë.“Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme mbetet e përkushtuar për të përqafuar të gjithë ekselentët e Shqipërisë dhe për t’u dhënë mundësi atyre që të përfaqësojnë denjësisht vendin e tyre nëpër botë”, thekson ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, duke e konsideruar “edhe një lajm tjetër i mirë për diplomacinë shqiptare”.
“Kjo shpallje është pjesë e përpjekjes së Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për të përfshirë ekselentët në trupën diplomatike shqiptare. Një prej angazhimeve kryesore të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme mbetet zhvillimi i një strukture diplomatike që mbështetet në energjitë rinore dhe cilësitë profesionale. Ndër të tjera, kjo shpallje vjen edhe si rrjedhojë e reformave të ndërmarra për të konsoliduar sistemin diplomatik të karrierës. Ndryshimet e ndërmarra deri më tani, kanë krijuar një hapësirë shumë më të madhe për ekselentët, profesionistët dhe personat me aftësi cilësisht të dalluara në përgjithësi”, deklaron Cakaj.Kjo gjeneratë e re diplomatësh, thekson ai, do të ushtrohet në trajnime të veçanta e do të trajtohet me një kujdes të posaçëm për t’u bërë një gjeneratë elitë e diplomacisë shqiptare në perspektivë afatgjatë.
Ministri në Detyrë nënvizon se “procesi i përzgjedhjes së diplomatëve të ardhshëm dhe shërbyesve civilë të rinj do të jetë i mbështetur tërësisht mbi merita profesionale dhe vlerësime objektive. Shumë shpejt Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të shpallë edhe më tepër vende të lira për diplomatët e ardhshëm për të ndërtuar një shërbim të shkëlqyer diplomatik”.“Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme mbetet e përkushtuar për të përqafuar të gjithë ekselentët e Shqipërisë dhe për t’u dhënë mundësi atyre që të përfaqësojnë denjësisht vendin e tyre nëpër botë”, deklaron Cakaj.