Më datën 8 qershor 2020 u dha provimi i parë i maturës nën masat e përcaktuara kundër Covid 19. Provimi i anglishtes zgjati 2 orë e gjysëm dhe nxënësve iu kontrollua temperatura e pajisja me maska e doreza. Gazetarja e Ora News, Anxhela Celibashi ishte prezente në Shkollën “Ismail Qemali” në Tiranë për të përcjellë live emocionet e maturantëve pas përfundimit të provimit. Nga grumbulli i nxënësve të cilët ishin në oborrin e shkollë, vetëm një djalë nuk ngurroi të tregonte emocionet në mikrofon. Mirëpo videoja ku ai me sinqeritet tregon se gjysmën e pyetjeve i kishte bërë vetë dhe një pjesë e kishin ndihmuar, u mor nga faqe të ndryshme në “Instagram” dhe “Facebook” për tu bërë meme përcjellë si dëshmi që në këto provime kopjohet.
Kjo është vetëm pjesa e dukshme, por e padukshmja që duhet ta dinë të gjithë ata që e kanë shpërndarë në rrjete sociale për ta kthyer në “meme” është fakti që djali është i spektrit autik. Për këtë temë, gazetarja e Ora News, Anxhela Celibashi sot në mëngjes, në një lidhje direkte me emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora, i kërkoi ndjesë të madhe publike familjarëve të tij sepse nuk e kishte ditur aspak që ai ishte i spektrit autik. Nëse do ta dinte, një intervistë e tillë do të merrej në prani të një kujdestari.
Anxhela Celibashi: Ishim live dhe maturanti i cili foli dhe video e tij u bë virale, ishte mes grumbullit dhe numërit të konsiderueshëm të maturantëve dhe ishte i vetmi në fakt që pranoi të flise live. Unë nuk e dija që djali ishte i spektrit autik, për këtë i kërkoj falje të gjithë familjarëve të tij, i kërkoj atij falje publikisht, shkollës dhe kujdo që mund të jetë prekur nga ajo video për të cilën unë aspak nuk u ndjeva mirë dhe prej momentit të parë që mora vesh se djali ishte i spektrit autik, po bëj përpjekje ta fshirë atë video nga rrjetet sociale. Në fakt ai nuk duhet që të dilte live pa patur pranë kujdestarin apo edhe prindin edhe për këtë arsye u ndjeva shumë keq dhe përsëri i kërkoj falje familjarëve.
Po publikisht gazetarja u kërkon të gjithëve që të fshijnë videon nga rrjetet sociale pasi shkon përkundër detyrimeve që kemi ne si shoqëri për ti ofruar një ambient sa më komod, për të bërë të gjitha përpjekjet që këto fëmijë t’i integrojmë në shoqëri dhe për mos t’i çuar ata drejt bullizmit.
Arjola Shehu: Nuk besoj se ke patur ndonjë komunikim me ta!
Anxhela Celibashi: Kam dërguar fjalën time tek ta, megjithëse po mundohem të gjej edhe një numër kontakti për t’u lidhur dhe për t’u takuar përballë me prindërit e djalit, por gjithësesi jam duke u munduar të fshij videon e cila është bërë virale. Të bësh gabime është njerëzore, të falësh është hyjnore. Pas transmetimit live, ajo video nuk ekziston në asnjë platformë online të këtij grupi mediatik dhe solidarizohet me apelin për ta fshirë nga çdo rrjet social këtë video. Raportoi live gazetarja e Ora News Anxhela Celibashi. Pergati në online Pamela Kulla.
