Është bërë e detyrueshme tashmë që në lejen e qarkullimit, pronarët që përdorin automjete me me lëndë djegëse gaz-benzinë, ta deklarojnë.
Prej disa muajsh ata po sorollaten, pasi ky shërbim i ka kaluar privatit.
Më parë kontrolli fizik i impianteve të gazit bëhej pranë Drejtorive të Transportit Rrugor në çdo rreth.
Por, para pak javësh, ky shërbim i ka kaluar privatit, me një udhëzim të Drejtorisë së Transportit Rrugor.
Sipas punonjësve të DPSHTRR-së, shërbimi pranë pikave të shtetit bëhej kundrejt pagesës prej 6-7 mijë lekësh të vjetra. Ndërkohë, aktualisht ky shërbim kryhet pranë shoqërisë private Shpresa-Al, në Kamëz, kundrejt një pagese prej 130-200 mijë lekë!
Pronarët kanë deklaruar se po sorollaten për të bërë ndryshimet përkatëse në lejen e qarkullimit dhe që pagesat janë 10 apo 20 fishuar.
Në Drejtorinë e Transportit Rrugor në Tiranë, ku një punonjës thotë se ky shërbim (ndryshimi i lejes së qarkullimit) bëhet vetëm te kompania private. Sipas tij, në shtet bëhet me 6 mijë lekë të vjetra, ndërsa te privati me 180 mijë lekë. Dhe nëse e ke vënë impiantin, duhet të paguash 200 mijë lekë gjoba.
Edhe te pika e kontrollit fizik në Drejtorinë e Transportit Rrugor në Tiranë, iu konfirmua se, nëse nuk e ke deklaruar, ke një gjobë prej 200 mijë lekësh.
Tek firma që ka fituar licencën në ministri, sipas punonjësit, nëse e ke vendosur impiantin, duhet të shkosh te një pikë e licencuar, të bësh letrat dhe të shkosh te kjo firmë vetëm për miratim. Pra, në të gjithë këtë rrugëtim, firma private që ka marrë licencën nga DPSHTRR bën vetëm miratimin e impiantit dhe për këtë duhet të paguash nga 130 deri në 200 mijë lekë, krahas kostos së vendosjes së impiantit.
Për të gjithë këtë problematikë, Fiks Fare iu drejtua Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila tha se në qarkullim, me dokumente, janë 28.411 mjete me lëndë djegëse Benzin+Gaz.
Më parë, fatura e shërbimit për ndryshimin e lejes së qarkullimit ishte 700 lekë të reja, ndërsa aktualisht ky shërbim nuk kryhet në shtet, por në privat. Sipas saj, Shoqëria “Shpresa Al”, është pajisur me një licencë të lëshuar në korrik 2018. Pyetjes se kush i vendos çmimet, ministria na ktheu përgjigje se “duke qenë se ky është shërbim tashmë i liberalizuar edhe përcaktimi i çmimit të shërbimeve që ofrohen në një treg është sipas çmimit të tregut”. Më tej shton se ushtrimi i këtij aktiviteti nga operatorë të tjerë, do të bëjë të mundur rritjen e konkurrencës.
Nëse një automjet ka vendosur impiant gazi dhe nuk e ka të shënuar në lejen e qarkullimit, a ndalohet nga policia dhe a merr penalitet? Ministria tha se “policia dhe kompania që kryen kontrollin teknik të mjetit nuk kanë të drejtë të vendosin penalitet”, shkruan TCH. Por, sipas saj, “është detyrë e shoqërisë koncesionare të raportoje nëse të dhënat e mjetit gjatë kontrollit teknik nuk përputhen me të dhënat e regjistruara në lejen e qarkullimit të mjetit, dhe nuk mund të kryeje kontrollin teknik të mjetit nëse vërehet një rast i tillë”.
Pra, nëse ke një makinë me impiant gazi, këtë duhet ta pasqyrosh edhe ne lejen e qarkullimit. Policia, sipas ministrisë nuk të penalizon me gjobë, por nga ana tjetër, nuk kryen dot kontrollin teknik vjetor pa kaluar nga kompania private e autorizuar nga Ministria e Energjetikës.
