Qosja ka thënë se Gut e ka dashur popullin shqiptar, për shkak se ka njohur dhe trajtuar me shumë përkushtim historinë shqiptare.
“E gjithë përmbajtja e veprimtarisë dhe e krijimtarisë së tij të gjatë, shumëvjeçare, që përbën qëllimin kryesor të studimeve të tij të gjithanshme, janë historia, gjuha, zakonet, traditat, folklori, letërsia e popullit shqiptar”, thuhet në reagimin e Qosjes.
Ky është shkrimi i Qosjës:
VDEKJA E KRISTIAN GYTIT
Humbje e madhe për kulturën shqiptare
U nda nga jeta albanologu Kristian Gyt.
U nda nga jeta në moshën 87 vjeçare, por u nda nga jeta duke mbetur i përjetshëm dhe i lavdishëm në historinë dhe kulturën shqiptare.
Studiuesit e shquar Remzi Përnaska dhe Enver Hysa kanë sjellë shumë të dhëna për jetën e tij, për natyrën e tij, për krijimtarinë e tij shkencore, për angazhimet e tij të gjithanshme kulturore, shoqërore dhe institucionale, në përgjithësi për përkushtimet e tij ndjenjore e mendore.
Prej këtyre të dhënave shihet se Kristian Gyt ka qenë ose drejtues, ose pjesëmarrës i shumë institucioneve, i shumë organizatave dhe i shumë shoqatave të Francës, në të cilat është punuar dhe punohet për historinë e Shqipërisë e të popullit shqiptar, për kulturën dhe qytetërimin shqiptar.
E gjithë përmbajtja e veprimtarisë dhe e krijimtarisë së tij të gjatë, shumëvjeçare, që përbën qëllimin kryesor të studimeve të tij të gjithanshme, janë historia, gjuha, zakonet, traditat, folklori, letërsia e popullit shqiptar.
Kristian Gyt ishte njëri prej njohësve më të mirë dhe njëri prej trajtuesve më të gjithanshëm të gjithë atyre vlerave që përbënin të kaluarën dhe të atyre që përbëjnë të përtashmen shpirtërore shqiptare.
Për shkak se e ka njohur aq gjithanshëm dhe e ka trajtuar aq përkushtueshëm historinë e popullit shqiptar, për shkak se e ka njohur dhe e ka trajtuar aq gjithanshëm krijimtarinë e tij shpirtërore, Kristian Gyt e ka dashur popullin shqiptar.
Dhe, për shkak se e ka dashur aq përkushtueshëm popullin shqiptar ai ka marrë pjesë me punë, me veprimtari shoqërore e kulturore, me studime shkencore kudo është folur për të: në tubime të ndryshme, në sesione, në simpoziume, në konferenca e në kongrese shkencore albanologjike, ballkanologjike, evropiane e botërore.
Për shkak se e ka dashur aq përkushtueshëm popullin shqiptar ai e ka përkthyer Kanunin e Lekë Dukagjinit. Dhe, për të njëjtat arsye, ai ka përkthyer vepra letrare, studime e trajtesa shkencore të autorëve shqiptarë.
Sa shumë të dhënat e reja, sa shumë gjykimet e reja, sa shumë vlerësimet e reja janë të përmbajtura në studimet dhe në përgjithësi në shkrimet e në ligjëratat e tij për historinë shqiptare, për gjuhën shqipe, për zakonet adetet, kanunet, në përgjithësi për krijimtarinë shpirtërore të popullit shqiptar.
Është dukshëm e qartë se Kristian Gyt ka shkruar shumë në sasi e me shumë cilësi për ne, për shqiptarët, por ne jo sa duhet dhe sa e ka merituar kemi shkruar e bërë për të.
Shumësia e lëndëve, e temave, e çështjeve, e problemeve që ka trajtuar ai në studimet e tij shqiptare ka merituar shumë më tepër kujdes, paraqitje e popullarizim prej nesh.
Përkushtimi yni si popull e si shtete ndaj gjithë veprimtarisë së tij, ndaj gjithë krijimtarisë së tij mendore, ndaj gjithë studimeve të tij shqiptare nuk do të ishte vetëm shprehje e nderimit tonë për të, për Veprën e tij të madhe albanologjike, por edhe nevojë mendore e morale e kohës sonë për atë Vepër e për atë intelektual francez, evropian, botëror.
Studiuesit e historisë dhe kulturës shqiptare si Kristian Gyt, miqtë e përkushtuar si Kristian Gyt, albanologët e shquar si Kristian Gyt gjithmonë e kanë nderuar dëshmueshëm dhe gjithmonë e kanë dashur dëshmueshëm popullin shqiptar me dhembjet, me idealet e me të arriturat e tij.
E duan, natyrisht, dukshëm dhe sot.
Nderimi ynë për ta, përkushtimi ynë ndjenjor e mendor ndaj tyre duhet të jetë gjithnjë e më i dukshëm, më mbarëkombëtar.
Për të gjitha arsyet e sipërthëna nderimi ynë, kujtimi ynë për albanologun e madh, për mikun tonë të madh Kristian Gyt do të jetë i përjetshëm. I përjetshëm dhe i dëshmuar me përkushtime konkrete historike, shkencore, shtetërore.
Me familjen e tij, me miqtë, bashkëpunëtorët dhe me të gjithë ata që e kanë dashur e çmuar, unë, si mik dhe adhurues i Veprës së tij, i Etikës së tij intelektuale, ndaj dhembjen dhe pikëllimin.