Policia e Korçës ka dhënë një tjetër njoftim për aksidentin e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Maliq, ku mbetën të plagosur 4 persona, një prej tyre në gjendje të rëndë.
Policia njofton se ka arrestuar një prej drejtuesve të mjeteve, shtetasin Jetnor Lumani, dhe ka proceduar shoferin tjetër Besnik Cakollari, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Nga aksidenti mbetet në gjendje të rëndë 17-vjeçarja Jehona Elmasllari. Ajo është nisur me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Ngjarja ndodhi në aksin nacional Korçë-Bilisht në kryqëzimin e fshatit Plasë rreth orës 19:45 ndërsa në të u përfshinë një mjet tip Toyota me drejtues Besnik Cakollari dhe një mjet tip Renault me drejtues Jetnor Lumani.
Goditja e mjeteve ka qenë aq e fortë saqë edhe nxjerrja e të plagosurve nga mjetet ka qenë e vështirë duke u dashur edhe ndërhyrja e mjeteve zjarrfikës.
NJOFTIMI ZYRTAR
Në vijim të informacionit paraprak datë 05.04.2022, i cili bën fjalë për një aksident rrugor ju informojmë se: Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Korçë, në vijim të veprimeve procedurale të kryera, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit J. L., 51 vjeç, banues në Korçë dhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin B. C., 35 vjeç, banues në fshatin Plasë, Maliq.
Mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor Korçë-Devoll, në kryqëzimin e fshatit Plasë, Maliq, shtetasi J. L., duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Renault”, është përplasur me mjetin tip “Toyota”, me drejtues shtetasin B. C. dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i mjetit tip “Toyota” shtetasi B. C; pasagjeri i mjetit tip “Renault” shtetasi A. M., 58 vjeç, banues në Korçë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, si edhe shtetasja J. E., 17 vjeçe, banuese në Pogradec, pasagjere në mjetin tip “Toyota”, e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
