Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të zhvillojnë ditën e sotme takimin e parë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Takimi është konfirmuar mbrëmjen e djeshme nga Rama, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares Jehona Bajrami Gashi, në emisionin “Opinion”.
“Nuk ishim marrë vesh paraprakisht për një takim, por do të takohemi nesër. E pres me shumë pozitivizëm emërimin në postin e kryeministrit të Albin Kurtit,”–ka bërë me dije shefi i qeverisë. Pak ditë më parë, gjatë një konference për shtyp, kryeministri Rama u shpreh se pret me kënaqësi të takohet me Kurtin, duke shtuar nevojën për një shtysë në marrëdhënien mes dy qeverive.
Megjithatë, përkundër entuziazmit të shprehur nga Rama, mes dhjetëra letrave të marra prej Kurtit për fitoren e Vetëvendosjes, binte në sy mungesa e urimit të politikanit bashkëkombas, gjë që ka shtuar dyshimet për një marrëdhënie “të ftohtë” ndërmjet tyre. Mirëpo, vlen për t’u theksuar se në prononcimet e tyre, asnjëri nga dy politikanët nuk e ka pranuar pasjen e mosmarrëveshjeve.