Një banesë dy katëshe është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme në fshatin Shkallë, të Njësisë Administrative Xibër, në Bashkinë e Klosit.
Si pasojë e zjarrit, është shkrumbuar banesa e shtetasit Behar Muste, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit në banesa të tjera përreth.
“Nuk isha në shtëpi. Kur erdha flaka e kishte përpirë. Është djegur i gjithë kati i dytë dhe gjysma e katit të parë. Njerëzit ishin në kat të parë. Këtu jetojmë 11 frymë. Rastësia një fëmijë ishte jashtë e thirri ‘babi, babi ka marrë flakë shtëpia’. Kanë qenë të gjithë brenda, dolën jashtë. Zjarrfikësja dhe gjithë njerëzit kanë ardhur menjëherë. Nuk e di nga ka marrë flakë. Tani jemi në shi, në natyrë 11 vetë”, u shpreh me lot në sy kryefamiljari, Behar Musta.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit.
