Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka marrë këtë të martë dozën e parë të vaksinës kundër COVID. Ai bën me dije se ka marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca në një nga qendrat e vaksinimit në Elbasan.
Duke qenë se sot dhe nesër do realizohen vaksina për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç, Balla përmes një postimi në Facebook bën thirrje për të gjithë që të regjistrohen dhe të marrin vaksinën në qendrën më të afërt.
“Qendra e Vaksinimit Elbasan – Falë vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, sot dhe nesër janë Ditët e Hapura të Vaksinimit. U paraqita dhe unë në një nga qendrat e vaksinimit në Elbasan dhe u vaksinova me vaksinën Astra Zeneca.
Nëse jeni +18 vjeç, shkoni sot dhe nesër në pikën më të afërt të vaksinimit, me kartën e identitetit, pas aplikimit në E – Albania, për t’u vaksinuar e mbrojtur nga COVID-19. Qendrat e vaksinimit janë të hapura nga ora 08:00-20:00” – shkruan Balla.
Kujtojmë që ditën e sotme dhe nesër, do të realizohet vaksinimi i të gjithë personave mbi moshën 18 vjeç në të gjitha qendrat e vaksinimit. Qytetarët të cilët duan të marrin dozën e vaksinës, duhet të aplikojnë përmes portalit e-albania e më pas do t’u caktohet qendra ku do marrin dozën. Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se qytetarët nuk mundet të zgjedhin dot se cilën prej vaksinave do të marrin.
