Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shkoi sërish pranë unazës së re ku banorët protestojnë prej gati 2 muajsh. Kreu i opozitës tha se tashmë ka fakte se si Veliaj dhe Rama ndryshuan planin urbanistik duke zhvendosur rrjedhën e Lanës për tu hapur rrugë ndërtimeve të biznesmenit Edmond Bego. Por Basha ishte kritik edhe me mediat, disa prej të cilave sipas Bashës nuk po e pasyqrojnë siç duhet këtë aferë.
“Edhe sot disa media thonë “sipas Partisë Demokratike”… Po mirë, nuk mjafton fakti që punën që duhet të bëjnë mediat e bën opozita por edhe kur bën opozita punën prapë së prapë disa media thonë “sipas PD”. I ftoj këto media të bëjnë detyrën e tyre. Të marrin dokumentet zyrtare që i kemi bërë publike, ti vënë krahas njëri-tjetrit dhe tu tregojnë shqiptarëve ja si ishte plani urbanistik në 2013, ja si është plani urbanistik në 2017. Ja si u zhvendos shtrati i Lanës. Ja si prishen shtëpitë e mbi 200 banorëve. Këto nuk janë “sipas PD”, këto janë të vërtetat mbi dokumentat zyrtare që mbajnë firmën e Edi Ramës dhe të Erion Veliajt” –tha Basha që shtoi.
“Këto nuk janë hamendësime, nuk janë akuza, janë fakte zyrtare. Pra ftesa ime sot është që media të bëjë pjesën e saj të detyrës. Pjesë e detyrës do të ishte edhe të investigonte këtë aferë por këtë e bëmë ne, e bëri PD. Të paktën tani që është në dritë të diellit të luajnë rolin e tyre dhe të mos bëhen pjesë e mashtrimeve qeveritare dhe bashkiake por t’u tregojnë shqiptarëve se si është ndryshuar rrjedha e një lumi për të marrë përpara shtëpitë e 200 familjeve vetëm e vetëm që të mos cenohet prona e një trafikanti droge i cili ka paguar 1.5 milionë euro ministrisë së Arben Ahmetaj dhe i ka hapur rrugën prapë me firmën e Erion Veliajt planit të detajuar vendor për të ndërtuar këtu një projekt i cili po kështu është publikuar nga ne” – tha Basha.