Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi sot në Durrës programin për barazinë gjinore.
“Kemi një skuadër të jashtëzakonshme zonjash, të cilat përfaqësojnë gratë shqiptare dhe dëshirën e tyre për ndryshim. Kemi një skuadër profesionistesh, të kalibrit kombëtar dhe ndërkombëtar politikanesh me përvojë që i kanë shërbyer me devotshmëri, profesionistesh të cilat kanë përgatitur planin e ndryshimit që ne do ta zbatojmë së bashku pas 25 prillit”, tha Basha.
Por, nënvizoi ai, “sot jemi për të diskutuar për një çështje shumë të rëndësishme që faktikisht nuk është gjysma por është mbi gjysma e shoqërisë shqiptare për efektin që do të jap pas 25 prillit dhe ndryshimit që presin të gjithë shqiptarët. Kemi të bëjmë me problemin e pazgjidhur të grave në shoqëri, të vendit të duhur të grave në shoqëri”.
“Me diskriminimin e vazhdueshëm dhe me këto 8 vite dështime dhe problemeve që nga dhuna në familje, papunësia, plaga e emigracionit e cila rëndon dyfish mbi gratë shqiptare, mungesa e perspektivës e cila është edhe më e rëndë sa i përket vajzave shqiptare. Diskriminimi në vendin e punës, në veçanti në sektorin publik, por edhe atë privat”, tha Basha.
“Një sërë problemesh për të cilat PD prej muajsh ka punuar me ekspertet më të mira dhe ekspertët më të mirë të fushës për të garantuar një nga objektivat tanë kryesorë që është barazia gjinore, dhënia fund e diskriminimit dhe përdorimit, fuqizimi i gruas shqiptare si një parakusht për shoqërinë për të ecur përpara”, tha ai.
“Diskriminimi i grave është në çdo fushë. Në fushën e punësimit aty ku pagat qartësisht tregojnë se puna e njëjtë apo shpeshherë më cilësore që bëjnë gratë shqiptare paguhet më pak. Në fushën e vendimmarrjes që nga trupat kolegjiale vendimmarrëse dhe në çdo institucion tjetër ku edhe kuotat respektohen në mënyrë simbolike dhe mënyra e përzgjedhjes apo le të themi rezultati final i përfshirjes së grave është simbolik dhe shpeshherë i turpshëm dhe deri te denigrimi që i bëhet figurës së gruas, siç kemi parë për fat të keq me zë dhe figurë edhe kryeministrin në ikje të bënte në dy ditët e fundit, por që e ka bërë vazhdimisht këto 8 vite”, tha Basha.
“Në qendër të programit tonë qëndron fuqizimi i gruas shqiptare. Kjo do të thotë fuqizim në të gjitha aspektet, duke filluar nga arsimi ku ne do të bëjmë të mundur që asnjë vajzë shqiptare që dëshiron të studioj, të kualifikohet, të mos i mohohet kjo mundësi për shkak të mundësive ekonomike të familjes së saj.
Duke filluar nga punësimi ku do të ndjekim politika të diskriminimit pozitiv me qëllim që sektori privat, por sektori publik në veçanti, të garantojnë barazinë e përfaqësimit midis grave dhe burrave. Dhe në sektorin e përfaqësimit të vendimmarrjes, ku siç e thashë do të bëjmë të mundur që në veçanti në vendimmarrje të tilla si vendimmarrje politike apo vendimmarrje në trupat kolegjiale të interesit publik, që nga entet rregullatorë të nivelit qendror dhe lokal, gruaja shqiptare të marrë rolin që i takon”, theksoi Basha.
